Rama: Debati për Teatrin duhej të kishte përfunduar 20 vite më parë
ATSH
30 Korrik 2019
TIRANË, 30 korrik/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ritheksoi sot se godina aktuale e Teatrit Kombëtar është e pamundur të rikonstruktohet, ndërsa deklaroi se “asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillim privat, asnjë centimetër, zhvillimi privat vjen pas murit rrethues të Teatrit”.
Në konferencën për shtyp ku bëri sot bilancin e rezultateve të qeverisjes në gjysmën e parë të këtij viti dhe foli për prioritetet në periudhën shtator 2019-korrik 2020, Rama tha se “zhvillimet te Teatri janë shumë të vjetra dhe më vjen sinqerisht edhe mirë, edhe keq që vijon një debat për një temë që duhet të ishte ezauruar 20 vite më parë. Ka shumë njerëz që ngatërrojnë muret me historinë, historinë me nostalgjinë, por dua të them se nëse ka një njeri, por edhe një forcë qeverisëse në krahasim me gjithkënd tjetër, që nuk mund të akuzohet për mungesë vëmendje apo për mungesë ndjeshmërie ndaj trashëgimisë kulturore ky jam unë dhe kjo është forca jonë qeverisëse. Mos harroni, kur unë kam filluar përpjekjen për të shpëtuar trashëgiminë tonë kulturore kompleksi i ministrive ishte një kompleks sipërfaqesh ku shkruheshin fjalë të pista me spray, ku binin suvatë, ku mbinin fiqtë mbi tarracë, sepse mbeturinat liheshin në tarraca dhe ktheheshin në pleh ku rritej fiku”.
“Po e nis nga ai projekt që ka qenë i pari në një vazhdë projektesh dhe po përfundoj me stadiumin. Shikojeni stadiumin dhe ja ku e keni edhe ndjeshmërinë për trashëgiminë reale kulturore edhe mënyrën sesi një vlerë e trashëgimisë harmonizohet me nevojat e aktualitetit dhe me ambicien për të ardhmen. Deri dje xhevahari i Gheraldio Bosios ishte i lindur në brezin e tullave dhe tenequrinave të kohës së komunizmit dhe postkomuniste dhe sot është zemra e arenës së re kombëtare, dhe sot është një monument historik për të cilin të jeni të bindur që do të ketë vizitorë dhe turistë që do të shkojnë për ta parë atë”, – nënvizoi Rama.
Godina e Teatrit Kombëtar, vijoi Rama, nuk është një çështje verbërie apo indiference është një çështje realiteti, një godinë e ndërtuar nga ushtria italiane me material të përkohshëm për argëtim pas pune, nuk është ndërtuar ndonjëherë për të qenë Teatër Kombëtar.
“Nuk ka qenë aty Teatri Kombëtar në planin italian, nuk ka qenë aty teatri kombëtar në planin e Pasluftës, ka mbetur si ajo fjala një gjë e përkohshme mbetet gjithë jetën si rezultat i pamundësive dhe është sot në pikën që është e degraduar në pikën që është e parikuperueshme edhe sikur të donim ta rikuperonim është e ndërtuar me një material të parikuperueshëm. Nëse do të kishte vlerë nga pikëpamja arkitektonike dhe nëse godina do të kishte hapësirat për të pasur aty një teatër, se nuk është bërë për të qenë teatër, atëherë nuk do të ishte e mundur të restaurohej, por do të shembej e rindërtohej mot a mot sipas projektit. Të gjithëve u them se do na kushtonte më pak se godina e re nëse do e ndërtonim siç është”, – theksoi Rama.
Sipas tij, për më tepër është përhapur dhe ka zënë vend fjala se trualli i tij apo një pjesë e tij do të përdoret për zhvillim privat.
“Është e pavërtetë! Asnjë centimetër i truallit nuk do të përdoret për zhvillim privat, asnjë centimetër, zhvillimi privat vjen pas murit rrethues të Teatrit”, – tha Rama.
Kreu i Qeverisë u shpreh se “çka do të thotë se nëse ne do të ishim të interesuar aty për zhvillimin privat dhe jo për teatrin do ta kishim të lehtë fare ti qetësonim të gjithë këta, të bënim kopjen e teatrit ekzistues, sepse do ta kishim të lehtë fare që të qetësonim të gjithë këta, të bënim kopjen e teatrit ekzistues në të njëjtin kufi, sepse ajo nuk restaurohet dot dhe do të ishim në rregull. Por për çfarë arsye do ta bënim këtë? Më thoni arsyen dhe do të paguante shumë më pak privati që do të merrte po atë sasi toke mbrapa për ta bashkuar me pronën private për të bërë atë zhvillimin tjetër”.
Ndërkohë, shtoi Rama, që ne me projektin e ri kërkojmë shumë më tepër fond nga privati për ta këmbyer me një truall që është mbrapa teatrit, ku sot aty ka ferra, mbeturina të ish-dekorit të bashkisë së Tiranës, teneqe, është një truall pa lidhje dhe pa asnjë vlerë, ndërkohë që vlera që ne i marrim këtij trualli është një teatër i ri për Tiranën.
“Ideja që ta lëmë për muze, muze për çfarë? Muzeun do ta kemi brenda godinës së re të teatrit. Ku është këtu çështja? Këtu çështja është politikë, mediokritet dhe kapur pas asgjësë për të bërë zhurmë. S’kemi asnjë interes që të bëjmë zhurmë në rast se nuk kemi bindjen që e ardhmja ndërtohet sot dhe sot nuk mund të bëjmë që diçka që të mos i vlejë të ardhmes. Do të ishte mirë që të ishim të gjithë dakord. I respektoj ata që janë kundër, por nuk mund të jemi të gjithë dakord për të gjitha. Ne nuk jemi zgjedhur që të presim që të gjithë të bien dakord me çfarë duhet të bëjmë, ne jemi zgjedhur që të udhëheqim dhe të marrim vendimet. Shumica është e qartë në këtë drejtim, shumica e komunitetit teatror, shumica e publikut. Një pjesë nuk ishte dakord as për stadiumin, kishin paranoja, akuza, dyshime. Ja ku e keni, stadiumi më i bukur i rajonit, më nxirrni një tjetër që ka stadium kështu me dhe një nga stadiumet më të bukur të Europës, në vend të një stadiumi të futur në listën e zezë të FIFA dhe UEFA, ku nuk mund të zhvilloheshin dot ndeshje, këta thoshin ta mbajmë muze, çfarë muzeu të mbajmë atje të kioskave, apo tullave të komunales?” – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “nëse do të kishte aty një vlerë arkitektonike që të përmbushte kushtet për të qenë trashëgimi kulturore, pa diskutim duhej ndërtuar nga e para njësoj siç është”.
I pyetur se përse qeveria nuk pret një vendim të Gjykatës Kushtetuese për teatrin tashmë që Presidenti i Republikës e ka dërguar ligjin në Gjykatë Kushtetuese, Kryeministri Rama tha se “për të njëjtën arsye se nuk presim dot tërmetin për të marrë vendime të tjera”.
Ndaje me miqte