0030 210 33 18 483

Rama: "Duhet çuar deri në fund procesi i shkarkimit të Presidentit"?

ATSH 25 Qershor 2019

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se duhet çuar deri në fund procesi i shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.

Në një bashkëbisedim me banorët e njësisë administrative Nr.2 në Tiranë, Rama pyeti nën/kryetaren e Kuvendit Vasilika Hysi se si po procesi i shkarkimit të Presidentit, duke theksuar se, “duhet çuar deri në fund ai proces se kjo është një hata kushtetuese dhe institucionale”.

Hysi u shpreh se nesër është raporti në Komision dhe fillon propozimi për Komisionin Hetimor. E bën Komisioni i ligjeve fillimisht. Nesër kemi raportin që i dërgohet seancës dhe më pas e vendos seanca”.

Hysi theksoi se, “është hera e parë dhe është një proces që s’ka ndodhur ndonjëherë në Kuvend. Dhe duke parë edhe vendimin për zhdekretimin është e rëndë dhe nga ana ligjore. Kushedi kush e ka këshilluar. E kanë këshilluar gabim”.

“Ja kush e ka këshilluar”, u shpreh Kryeministri Rama, duke treguar filxhanin e kafes.

Kryeministri tha se, “ata u mësuan keq për një kohë të gjatë, me socialistët funksiononte vetëm dhuna, dajaku kërcënimi, harbimi dhe kujtojnë se mund të funksionojnë akoma. 30 vjet e njëjta histori”.

“Para 2 vitesh morën atë që si takonte dhe kanë menduar që ne pa u çmendur tamam morëm gjysmën, po sikur të çmendemi komplet mund ta marrim të gjithën. Ne duke kënduar himnin mund ta marrim të gjithën. Po sikur të bëjmë koncert me molotov mund ta marrim të gjithën. 30 vjet Nano ik, Meta ik, Rama ik, Majko ik. Hajde gjeje dhe parullën përtojnë ta ndryshojnë. Rama ik dhe po ikin të gjithë me radhë një nga një. Çudi e madhe”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se parlamenti ishte shndërruar në parlamentin e mundjes. “Sikur shkoje në parlamentin e mundjes, vetëm kapu, shahu këtej, shahu andej. Kreu i opozitës vinte me xhup në parlament. Kur filluan këta nga mbrapa fusnin dorën poshtë dilnin vezët. O zot, klloçkë në mes të parlamentit. Opozitë gjoja”.

Rama u shpreh se po të mos e kishin prishur rreth rrotullimin e Zogut të Zi sot do të ishte. “ Rreth rrotullimin e Zogut të Zi e shembën atëherë. Ishte llogaritur për 25 vjet, e shembën, tani vijnë vërdallë atje tek veza”, tha Rama.

Në fund të takimit nuk munguan batuat me filxhanin. “Ja këtu (në filxhan) janë dy rrugë që bashkohen këtu ose teta me dyshin dhe në fund mbetet një ‘I’ mbrapa, me kokë lart dhe me pikë poshtë”, u shpreh Rama.

Ndaje me miqte