Rama hap fushatën: Nisim rrugëtimin drejt konfirmimit si forca udhëheqëse e ndryshimit
ATSH
01 Qershor 2019
TIRANË, 1 qershor /ATSH/- Kryeministri Edi Rama theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit, janë në radhë të parë për të ardhmen e fëmijëve dhe Shqipërisë si një vend normal demokratik.
Duke marrë fjalën në çeljen zyrtare të fushatës së Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, kryeministri Rama theksoi se në këtë 1 qershor nis rrugëtimi drejt konfirmimit të PS-së dhe kandidatëve të saj si forcë e padiskutueshme udhëheqëse e ndryshimit dhe zhvillimit në çdo bashki të vendit.
“Sot nis një maratonë 30 ditore për një betejë politike, më të qartë se asnjëherë më parë mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes nesh që duam ta çojmë Shqipërinë përpara me ide, programe e punë në çdo drejtim dhe atyre që duan ta kthejnë pas këtë vend me sherr e konflikt. Ne duam një vend normal demokratik për fëmijët tanë, ata duan pushtet përmes dhunimit të demokracisë”, theksoi lideri i PS-së.
“Sot është Dita e Fëmijëve dhe ardhmërisë që duam të ndërtojmë për ta. Arsye më shumë për ta thënë se rruga e vështirë që kemi zgjedhur për të bërë reforma që askush më parë nuk i ka bërë janë detyrimi ynë ndaj fëmijëve të këtij vendi, edhe këto zgjedhje të cilat janë braktisur nga opozita kryesore janë pjesë e detyrimit tonë ndaj fëmijëve të këtij vendi”, tha Rama.
Ndaje me miqte