Rama, me veshje ekstravagante  në qendrën e votimit
TV Tribuna
30 Qershor 2019
Kryeministri Edi Rama votoi sot në Qendrën e Votimit në Surrel, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Linda.
Çifti kryeministror u shfaq me veshje tepër sportive, ndërsa vetë Rama ishte veshur në mënyrë akoma më ekstravagante, me xhaketë, këpucë lustrafina dhe pantallona të shkurtëra.
Pas votimit, Kryeministri deklaroi se, “sot është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve, sesa vota për njërin apo tjetrin, që është e fshehtë. Besoj që kjo ditë konfirmon njëherë e përgjithmonë se me popullin nuk luhet, se sovraniteti i popullit nuk është një fjalë boshe. Dhe kush tenton t’ja marrë popullit sovranitetin nuk ka asnjë fund tjetër përveç se fundit me dështim dhe me turp”.
Rama tha se, “sot është e rëndësishme që çdo qytetar dhe qytetare në këtë vend të votojë ose të mos votojë, por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose për të mos votuar. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.
“Prandaj thashë. Historia e solli që këto zgjedhje shumë më tepër sesa zgjedhje për kryetarët dhe këshillat e rinj të bashkive janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për të gjithë fëmijët tanë”, tha kreu i Qeverisë.
Rama tha se “jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike dhe është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike, nga asnjë politikan dhe kurrë më interesat e një pale apo hesapet e politikës nuk do të mund t’i bien ndesh interesit të madh kombëtar dhe hesapeve të popullit për të pasur një shtëpi të përbashkët ku fëmijët tanë të rriten ashtu siç e meritojnë”.
I pyetur sesi ishte të votoje pas kaq kohësh si në kohën e komunizmit, Rama tha se, “jam në paqe me ju. Ju dua shumë. Nuk më tundoni dot. Akoma nuk e mësuat që rruga nuk i zihet askujt që është në të drejtën e vet? A mund të ma hapni rrugën? Ja ndryshimi i madh me dje dhe sot. Sot të zënë rrugën gazetarët”.
Ndaje me miqte