Rama, ndjek në stadium Juventusin; poston foto me Ronaldon
Tribuna TV
26 Gusht 2018
Kryeministri Edi Rama ka fluturuar të shtunën drejt Torinos, për të ndjekur në Allianz Stadium ndeshjen Juventus-Lazio (2-0).
Rama ka postuar në instagram dhe facebook fotografi me presidentin e “Juves”, Andrea Agnelli, Cristiano Ronaldon, si dhe një foto me fanellën e Juventusit, ku kanë nënshkruar lojtarët e ekipit.
Prania e kryeministrit në Torino, i ka dhënë shkas opozitës, që ta akuzojë për shpërdorim të fundeve publike. Nënkryetari i PD, Edi Paloka, denoncoi se “Edi Rama përdori një helikopter Kugar për të shkuar nga Vlora në aeroportin e Rinasit, dhe nga atje, një avion privat për të fluturuar përtej detit, në kohë limit për fërshëllimën e parë në Juventus-Lacio”.
Por drejtori i komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga është përgjigjur duke treguar se kryeministri udhëtoi në Torino bashku me Drejtorin Sportiv të Lazios, Igli Tare. Sipas Fugës, ata janë nisur nga Rinasi me një avion të prenotuar nga klubi i Lazios për drejtorin sportiv, Igli Tare, i cili pasi ka kaluar disa ditë pushime në jug në Shqipërisë, është kthyer në detyrën e tij.
Ndaje me miqte