Rama, optimist për marrëveshjen me Greqinë
TV Tribuna
10 Korrik 2018
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shprehur besimin se Greqia dhe Shqipëria “do të konkludojnë marrëveshjen e tyre me një dokument të ri bashkëpunimi strategjik”.
Këtë besim, Rama e ka shprehur në një intervistë për agjencinë zyrtare greke, ANA-MPA, dhënë gjatë punimeve të samitit të Londrës.
“Siç e dini, ndodhemi në procesin e vështirë, por absolutisht të nevojshëm të zgjidhjes së problemeve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Gjëja më e rëndësishme është që jo vetëm t’i zgjidhim problemet, por këto zgjidhje t’i shndërrojmë në një nivel të ri bashkëpunimi dhe bashkëveprimi”, ka theksuar Rama, sipas agjencisë ANA-MPA.
“Është shumë e natyrshme që me një mënyrë, përmes zgjidhjes, të arrijmë nivelin e njerëzve normalë, të qytetarëve të zakonshëm, të cilët e kanë kapërcyer ndërkaq të kaluarën e tyre dhe kanë përqafuar njeri-tjetrin”, shton kryeministri shqiptar.
Kryeministri shqiptar, nënvizon ANA-MPA, nuk ka fshehur kënaqësinë e tij për marrëveshjen e Prespës ndërmjet Greqisë dhe FYROM për çështjen e emrit. Rama po ashtu, e ka përmendur vendin fqinj si “Maqedonia e Veriut”.
Për këtë marrëveshje Rama ka vënë në dukje se “është një moment i mirë që të lavdërojmë rezultate dhe më parë e kryesisht arritjen e Greqisë dhe të Maqedonisë së Veriut, falë lidershipit shumë të guximshëm dhe kurajoz e me vizion, Aleksi e Zoran, që gjithashtu morën përsipër pjesën e tyre të riskut, për të vërtetuar diçka që nuk ishte e lehtë, por treguan gjithashtu se aty ku ka vullnet, gjendet edhe mënyra”.
Rama ka komentuar edhe reagimet në të dy vendet (Greqi, Maqedoni) rreth marrëveshjes së Prespës.
“Sigurisht të dy liderët po përballen me reagime, mirëpo në të njëjtën kohë reagimet dëshmojnë se ai ishte një vendim tepër kurajoz që do të jetë në dobi edhe të Greqisë, edhe të Maqedonisë së veriut, por edhe të gjithë Ballkanit”.
Kryeministri i Shqipërisë, që sipas agjencisë greke, “dominoi spektaklin” duke ardhur në Lancaster House me këpucë atletike të bardha, foli edhe për samitin e Londrës dhe procesin e Berlinit.
“Ky është një proces i rëndësishëm që filloi para pesë vjetësh dhe po vazhdon, besoj me ritme të mira. Ndihmon në mënyrë të konsiderueshme që të na mbajë të gjithë bashkë dhe të veprojmë të gjithë bashkë. Sigurisht, po ndodh në një kohë që gjërqt në Europë nuk janë kaq mirë, çka ngjan me një mallkim ballkanik. Dikur, kur Europa shkonte mirë, ne shkonim keq, tani përmirësohemi ne dhe shkon keq Eurppa”, ka përfunduar Rama.
Ndaje me miqte