Rama për "?La Stampa"?: Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë
ATSH
02 Korrik 2019
TIRANË, 2 korrik /ATSH/ – Duke mos shtyrë zgjedhjet, mbrojta demokracinë, deklaroi Kryeministri Edi Rama për gazetën e njohur italiane ”La Stampa”.
”Zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është një studio artisti, çdo faqe muri është e pikturuar. Paleta bojërash vaji, markera dhe pastele zënë skrivaninë. Ai është ulur dhe vizaton forma të ngjashme me kafshë imagjinare. Të dielën u mbyllën pa dhunë zgjedhjet më të vështira që nga fundi i komunizmit”, shkruan Letizia Tortello.
”Është një fitore e madhe, edhe për mua”, kërkon të thotë.
Por, vetëm një në pesë shqiptarë votoi. Rama, 54 vjeç, flet një italishte të përkryer (”Meritë e gjyshes, vajzë e një venecianeje”).
Mpreh armët kundër presidentit, dhe bën shaka për mënyrën e veshjes: “Më kanë kritikuar pasi votova i veshur me një xhaketë elegante dhe pantallona të shkurtra me çorape. Kujtohuni që kam qenë i pari që kam veshur atlete me kostum. Sot jam në modë: bëj tendencë”.
Kryeministër, si u zgjua Shqipëria pas votimeve të djeshme, të bojkotuara nga opozita?
“Shqiptarët që shkuan të votojnë shpëtuan vendin. Ishte në rrezik shteti i së drejtës. Nuk ishin zgjedhje vetëm për kryetarët e bashkive, kishte një rrezik shumë të prekshëm për përleshje. Nuk pati të tilla, sepse nuk ishte populli që i donte ato”.
Në ç’kuptim? Që nga shkurti mijëra manifestues zbresin në shesh për të kërkuar dorëheqjen tuaj.
“Ishte një inskenim, djem nga periferia ishin paguar për të sulmuar ndërtesat”.
Presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet tuaja. Çfarë do të ndodhë tani?
”Po zhvillohet një procedurë ‘impeachment’ për Illir Metën, do të shkarkohet nga Parlamenti për shkelje të rëndë antikushtetuese. Duke mbështetur bojkotimin e zgjedhjeve, dekretoi vetëvrasjen e tij politike duke shoqëruar drejt harakirit të gjithë opozitën”.
Kur ju ishit kandidat për bashkinë e Tiranës, në vitin 2006, kërkuat një shtyrje që u pranua. Po për sot, nuk vlen kjo gjë?
“Në atë kohë problemi ishte falsifikimi i dokumenteve të identitetit. Këtë herë opozita zgjodhi të tërhiqej përpara se të fillonte beteja. Shqipëria ka nevojë për ndërtimin e një shteti demokratik dhe europian. Kemi një traditë të brishtë për institucionet pas 50 viteve diktaturë, që na kishte transformuar në Korenë e Veriut të Europës. Duke mos i shtyrë zgjedhjet mbrojta demokracinë. SHBA dhe BE e kuptuan”.
Për të bashkuar vendin, a do të pranonit zgjedhje të parakohshme?
“Jo. Opozita nuk mund të marrë peng mazhorancën”.
E përditshmja gjermane “Bild” ka publikuar përgjime që ju shohin në kontakte me narkotrafikantët. Akuza të rënda. A jeni i shqetësuar?
“Nuk kam nevojë të mbrohem nga asgjë. Po përgatitemi për një luftë të madhe kundër korrupsionit, një pastrim me rrënjë të shumë gjykatësve të korruptuar. Përgjimet janë pjesë e kësaj rruge”.
Ish-presidenti Sali Berisha ka thënë se Shqipëria me ju është shndërruar në një narkoshtet.
“Çfarë narkoshteti?. Ne çrrënjosëm kanabisin si fenomen kriminal. Çfarë duhet të themi për Holandën?”
Kush janë miqtë tuaj në Itali?
“Kam nderin të jem mik personal me Renzin dhe D’Aleman”.
Çfarë gabimesh bëri Renzi?
“Nuk më takon mua të gjykoj. Ndoshta është më e vështirë të qeverisësh Italinë se sa Shqipërinë”.
Pse?
“Ka shumë korporativizëm. Ne nuk kemi sindikata, të bësh reforma është më e thjeshtë. Në Shqipëri edhe reformat më jopopullore janë popullore, njerëzit i presin. Ka shumë dëshirë për Europën”.
A është gati Shqipëria për në BE?
“Po. Por vendimet për hyrjen tonë varen nga dinamikat e brendshme europiane”.
Si do ta bindni Këshillin Europian?
“Nëse politikanët e Brukselit do të shohin hartën, do të shohin që Ballkani është i rrethuar nga vende anëtare të BE: Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Greqia. Jemi si mëlçia i një trupi që quhet Bashkimi Europian”.
A do ta përballonte ekonomia juaj një anëtarësim në union?
“Ballkani është deri tani një mundësi e nënvlerësuar, ka një potencial të pamatë. Imagjinoj një anëtarësim në një BE më fleksibël. Duhet të jetë një Europë me shumë Europa: të Schengenit, të monedhës, të Mbrojtjes, të qytetarëve. Me këto rregulla është e pamundur. Gjyshërit, prindërit, fëmijët, nipërit nuk mund të kenë të gjithë të njëjtën peshë”.
Keni qenë një popull migrantësh. Çfarë mendoni për çështjen Sea Watch?
“Italia ka të drejtë, u vu në lojë për vite të tëra dhe ka bërë shumë për t’i pranuar. Mund të diskutohen metodat e qeverisë suaj, por unë nuk shoh metoda të tjera”.
Ndaje me miqte