Rama paraqet programin qeverisës të mandatit të tretë
Zëri i Amerikës
16 Shtator 2021
Kryeministri Edi Rama premtoi gjatë paraqitjes së programit të ri qeveritar se vendi nuk do të ketë më gjurmë të tërmetit shkatërrues të nëntorit 2019 deri në fund të pranverës së ardhshme.
Zoti Rama theksoi se deri në shkurt të vitit të ardhshëm do të ketë mbaruar vaksinimi i popullsinë mbi 16 vjeç.
Ai tha se qeveria do të japë mbështetje financiare për të ringritur “sektorët më produktivë të ekonomisë”, në energji, bujqësi, turizëm, duke përmendur një seri kantieresh ndërtimi në autostrada, aeroporte dhe hidrocentrale si i Skavicës nga kompania Bechtel.
“Ne duam që Shqipëria të kthehet në eksportuese neto e energjisë elektrike. Gjatë 4 viteve të ardhshme do të hedhim hapa vendimtare drejt këtij objektivi strategjik për vendin tonë. Hidrocentrali i Skavicës nuk është më një ëndërr e mbetur në sirtar qysh nga vitet 70 të shekullit të kaluar. Ndërsa TEC-i famëkeq i Skabicës nuk do të jetë edhe për shumë kohë plaga e hapur e një dështimi të madh qeverisës dhe financiar të të shkuarës” - tha zoti Rama.
Qeveria synon që ekonomia të rritet mesatarisht 4.5 përqind në vit, si dhe ulje të borxhit publik në nivelin e 60 përqindshit në fund të mandatit. Po ashtu dhe paga mesatare mujore parashikohet të rritet me 25 përqind deri në fund të katërvjeçarit.
Pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve synohet të rritet me 40%, e punonjësve të administratës publike me 30% dhe e pagës mesatare në administratë nga 72 mijë lekë/muaj në 85 mijë lekë/muaj deri në fund të mandatit.
Kryeministri Rama tha se qeveria e tij do të lobojë fuqishëm për njohjen e shpejtë të Kosovës nga shtete të tjera në botë dhe një vend me të drejta të plota në OKB.
Ai theksoi se integrimi në BE mbetet objektivi parësor i qeverisë, një rrugë ku duhet të ecë më shpejt, derisa ky proces të ketë një datë kur Shqipëria mund të jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian”.
Shqipëria angazhohet të forcojë bashkëpunimin rajonal, duke theksuar nismën “Ballkani i hapur”, si pjesë e përpjekjeve për integrimin europian.
“Ballkani i Hapur është një pjellë e Procesit të Berlinit si rezultat i nevojës për të ecur më shpejt me lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve, shërbimeve, pa qenë nevoja që të na mbledhë një herë në vit nëpër Europë në mbledhje të radhës me konkluzione të radhës dhe në fund për të mos u bërë asgjë” - u shpreh zoti Rama.
Opozita kërkoi në seancën e pasdites, që kryeministri Rama të ishte i pranishëm në sallë gjatë diskutimeve.
Ajo nuk paraqiti asnjë pyetje për programin e ri të qeverisë gjatë paradites, ndërsa këmbënguli që kreu i qeverisë të mos mungonte, por të vinte e të dëgjonte në seancë diskutimet e tyre.
Kur zoti Rama erdhi në seancë, fjalën e mori kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha.
Ai tha se zgjedhjet u vodhën përsëri dhe demokracia shqiptare është vrarë dhe nga ky krim fillestar buruan shumë krime të tjera.
“Pasojat e rënda të keqqverisjes janë lidhur fort me paaftësinë dhe abuzimi me pushtetin e marrë në mënyrë të paligjshme. Qeveria Rama ka një bilanc të zi dhe përsërit gënjeshtra e propagandë” - tha zoti Basha.
Ai citoi raportet e disa institucioneve ndërkombëtare, ku thuhet se Shqipëria ka varfërinë më të lartë në Ballkan, nivelin më të ulët të të ardhurave në Europë, një numër të lartë të emigrimit të rinisë, korrupsionin më të lartë në Ballkan, një vend ku pastrimi i parave arriti maja të reja dhe që është prodhuesi kryesor i hashashit në Europë.
“Shqipëria është një nga vendet me investimet më të ulëta për arsimin, ku reforma dështoi. Po ashtu është një ndër vendet me fondet më të ulëta për shëndetësinë, ku po ashtu reforma dështoi. E sëmura e madhe është reforma në drejtësi. Ajo po mbahet e intubuar nga partnerët, por reforma është kapur nga socialistët” - u shpreh zoti Basha.
Ai theksoi se borxhi publik ka dalë jashtë kontrollit, duke shkuar 60 për qind në 80 për qind, ndërsa vendi konsumon naftën më të shtrenjtë në Europë dhe paguan ndërtimin e rrugëve më të shtrenjta që përpihen nga oligarkët dhe klientët e pushtetit.
Kryetari i opozitës theksoi se bashkëpunimi dypalësh mes Shqipërisë dhe Kosovës i ka të gjithë mundësitë të shumëfishohet, dhe nuk ka pse kushtëzohet në raport me vende të tjera.
“Integrimi i Ballkanit nuk mund të nisë nga Novi Sadi, por nga Mitrovica. Nuk kuptohet pse kryeministri Rama investohet kaq fort në një Nismë paralele me Procesin e Berlinit si është ajo e Ballkanit të Hapur, duke provokuar rajonin dhe vendet fqinje” - tha zoti Basha.
Seanca e parlamentit nisi me paraqitjen e programit nga ana e kryeministrit, pastaj me pyetjet e deputetëve për anëtarët e qeverisë dhe për të vazhduar me diskutimet e deputetëve në sallë, ku pritet ta marrin fjalën një radhë e gjatë ligjvënësish.
Ndaje me miqte