0030 210 33 18 483

Rama: Pasaporta europiane, garanci për njohjen e të drejtës së punës dhe pensioneve për shqiptarët jashtë

ATSH 24 Prill 2025

TIRANË, 24 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, renditi sot disa nga përfitimet që do të ketë vendi me anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke nisur nga njohja automatike e pensioneve, deri te garantimi njëherë e përgjithmonë i barazisë para ligjit.

Në një takim me socialistë të Gramshit, Rama u ndal te njohja e pensioneve, një çështje që prek direkt shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Kryeministri informoi se me shtetin grek kanë nisur procedurat, por nuk është shumë e lehtë, pasi në Greqi jetojnë e punojnë shumë shqiptarë.

“Ata që ikën të parët në Greqi tani kanë ankthin e pensionit. Në Greqi kanë sakrifikuar shumë që fëmijët e tyre të jenë ku e ku më mirë se sa ata, por nuk kanë pensionin të sigurt, njohjen e pensionit. Vijnë këtu dhe u del pensioni i vogël se nuk kanë kontribuar. Njohja e pensionit bëhet kur dy qeveritë bien dakord ta bëjnë. Ne e bëmë me Italinë, me Greqinë nuk është e lehtë, pasi janë shumë shqiptarë. Qeveria dhe shteti grek nuk është aq i fortë sa shteti italian. Kemi filluar por do të dojë shumë kohë”, tha Rama.

Por, kryeministri theksoi se fati e do që ta kemi ne në dorë këtë punë dhe të mos presim fare se kur bie dakord qeveria greke.

“Në 11 maj nëse ne krijojmë një shumicë që nuk ndalet, që ato që bie dakord në Bruksel i bën vendimet e ligjet këtu pa i shtrirë dorën Bufit të Kënetës, atëherë nuk i duhet asnjërit në Greqi asnjë lloj pasaporte tjetër përveç pasaportës shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se me anëtarësimin e vendit në BE njihet e drejta e punës në çdo shtet të Europës, merr pensionin nga çdo shtet i Europës, pasi të njihen kontributet e sigurimeve po ashtu.

Po ashtu, Rama theksoi se anëtarësimi në BE garanton njëherë e përgjithmonë barazinë para ligjit.

“Barazia para ligjit në këtë vend nuk i lihet as qeverisë dhe as të parit të qeverisë ta vendosë se nesër mund të kthehet mbrapsht. Ka vetëm një mënyrë Shqipëria anëtare e BE-së. Atëherë nuk guxon më njeri të bë numra me barazinë para ligjit. Ajo është e shenjtë për atë familje. Sot në BE janë 27 shtete. Nëse brenda kësaj dekade ne festojmë hyrjen atje si anëtari i 28-të apo i 29-të bashkë me Malin e Zi, kjo do të jetë garancia se liria individuale nuk preket”, tha Rama.

Ndaje me miqte