Rama: Së shpejti takohem me Tsipras-in
Tribuna TV
03 Dhjetor 2018
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një takim së shpejti me homologun grek Aleksis Tsipras.
“Pritet të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Athinë apo në Tiranë, por dot të takohemi së shpejti”, i ka deklaruar Rama agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA.
“Ndodhemi në një proces dialogu shumë intensiv dhe diskutimesh për shumë çështje, por që nuk ishin shtruar kurrë me vullnet të plotë dhe vendosmëri për zgjidhje”, tha Rama gjatë një bisede të shkurtër me drejtorin e agjencisë greke, në kuadër të konferencës mbi “Fake News” që po zhvillohet në Tiranë, e organizuar nga agjencia telegrafike shqiptare (ATSH)..
Rama i ka cilësuar si “historike dhe tradicionale” marrëdhëniet e fqinjësisë midis të dy vendeve.
“Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale dhe siç ndodh gjithmonë me fqinjët, nuk shkon gjithçka në mënyrë të përkryer... E dimë këtë nga mëhalla jonë. Qoftë në fshat, qoftë në qytet, qoftë midis shteteve, është e njëjta gjë. Mund ta kuptosh këtë nëse ndjek një ndeshje futbolli midis fqinjëve: është si luftë”, tha Rama.
Ndërkaq, kryeministri shqiptar ka theksuar që “jemi të gatshëm që ta përmirësojmë këtë marrëdhënie dhe po e bëjmë këtë”.
“Ngandonjëherë ndodhin gjëra jo të mira, por tani marrëdhëniet janë të mira dhe më e rëndësishmja është se nuk ekziston armiqësi ndërmjet të dy popujve”.
“Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Të tjerat janë thjesht politikë”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Ndaje me miqte