Rama: Tabelat pranë zonave me shumicë minoritare do të rivendosen sipas parametrave teknikë
ATSH
07 Maj 2019
Nga e marta do fillojnë të vendosen tabelat dygjuhëshe në zonat dhe pranë zonave me shumicë minoritare dhe deri të premten do jenë të vendosura të gjitha nga ARRSH mbi parametra teknikë.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të platformës “Ambasada Ime”, ku ai foli edhe për disa çështje që kanë lidhje me diplomacinë.
Kështu, sipas Ramës, pasi u thanë të gjitha nga ata zëra këndej e andej kufirit, kërkojnë gjithmonë sherr, e vërteta është shumë e thjeshtë. “Tabelat nuk u hoqën se kishin lidhje me minoritetin, po se nuk kishin kritere teknike dhe parametra të sigurisë në rrugë, duke shmangur nevojën e një lejeje që do evitonte pasaktësitë, po jo për të mos u vënë më. Nesër do fillojnë të vendosen dhe deri të premten do jetë të vendosura të gjitha nga ARRSH mbi parametra teknikë”, – tha Rama.
Për kaq gjë, gjërat mund të marrin përmasa, vijoi ai. “Për të gjithë ata që bëjnë patriotin apo ultraatdhetarin duke vënë kujën se pse në një zonë ku jeton minoriteti ka tabela dhe në greqisht, u them se ne jemi një vend europian dhe kur flasim për Europën flasim edhe për këtë, përveçse për traditën tonë të respektit reciprok dhe të trajtimit të barabartë të kujtdo, pavarësisht kombësisë që jeton në këtë shtëpi. Kush do të bëjë politikë le të vazhdojë ta bëjë, po kurrë nuk do kthejë pas traditën që nis me Kanunin dhe që sot është e mishëruar në Kushtetutën e vendit”, – tha Kryeministri Rama.
Ai u ndal edhe tek marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë. “Tradhtarë ne këtej, tradhtarë ata në qeveri andej. Kjo tregon se procesi po shkon si duhet, pasi nuk ka mundësi që të dyja palët të tradhëtojnë vendet e tyre, por po kërkojnë rrugëzgjidhjen e duhur”, – tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri tha se vota e emigrantëve është një arsye e fortë për ne që qeverisim, për ta çuar përpara një proces reforme që të përfshijë shqiptarët jashtë atdheut në vendimmarrje, pasi janë kontributorë. “Pa SHBA dhe BE nuk do ishim këtu politikisht, por pa emigrantët nuk do ishim gjallë ekonomikisht. Na takon t’u japim të drejtën të marrin vendimet e tyre për përfaqësimin politik të këtij vendi. Diplomacia ka bërë shumë, më shumë se gjithë vitet e tjera së bashku po kemi ende akoma për të bërë”, – përfundoi Rama.
Ndaje me miqte