Rama: Taksa e Kosovës ndaj Serbisë "?? përgjigje politike
Zëri i Amerikës
26 Nentor 2018
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha të hënën se taksa e Kosovës ndaj mallrave serbe është përgjigje politike ndaj veprimeve të Serbisë, ndërsa kritikoi Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Kosovës.
Ai i bëri këto komente në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që u mbajt në Pejë, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës. Të dy qeveritë nënshkruan një varg marrëveshjesh dhe u pajtuan që brenda gjashtë muajsh të heqin tarifat doganore, të bëjnë bashkimin doganor dhe të heqin tarifën e romingut në telekomunikime.
Kryeministri Edi Rama, tha se Kosova është “shëmbëlltyra më kuptimplotë e dëshirës për paqe dhe shprehja më rrezatuese e respektit për pakicat kombëtare dhe mishërimi i vullnetit për bashkëpunim, dialog dhe ndërveprim të sinqertë”. Ai e quajti sfiduese qajsen e Serbisë për pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe për nxitjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.
Ai tërhoqi vërejtjen në siç tha, goditjet pas shpine të Serbisë ndaj Kosovës, të cilat sic tha, i japin shpjegim tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve serbe.
“Është një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti si ato që përvijon vijimësisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100 për qind si vendim ekonomik – gabon. Jo. Tarifa 100 për qind është një reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje supremaciste të Serbisë ndaj Kosovës”, tha ai.
Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm dy javë pasi kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian me një taksë prej 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Vendimi i së mërkurës shtoi tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu shumë të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Beogradi, i cili eksporton ne Kosovë mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat edhe ashtu ishin ngrirë që më parë kur qeveria e Kosvës vendosi një taksë prej 10 për qind për mallrat serbe si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ndaje me miqte