Raport i ri i OKB-së: numër rekord refugjatësh, mbi 70 milionë vetë
Zëri i Amerikës
19 Qershor 2019
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se rreth 71 milionë njerëz në mbarë botën janë zhvendosur nga luftrat, persekutimet dhe konfliktet. Në një raport të ri të publikuar të mërkurën në prag të Ditës Botërore të Refugjatëve më 20 qershor, Organizata e OKB-së për Refugjatët UNHCR, thotë se shifra e refugjatëve përbën nivelin më të lartë të arritur ndonjëherë që nga krijimi i agjencisë rreth 70 vjet më parë.
Më shumë se 300,000 njerëz kanë ikur nga dhuna etnike në pjesën verilindore të Republikës Demokratike të Kongos që nga fillimi i qershorit. Zyrtarët e OKB-së thonë se vetëm javën e kaluar, më shumë se 160 vetë u vranë në përleshjet midis dy komuniteteve rivale.
"Ndërsa zhvendosja vazhdon në këtë shkallë masive, frika është që shumë njerëz do të përpiqen të kërkojnë siguri në Ugandë, duke kaluar Liqenin Albert."
Shumica e njerëzve që janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre shpresojnë të kthehen, madje edhe ata që kanë kaluar shumë vite të jetës së tyre në kampe refugjatësh, si ky palestinez në Jordani.
"Në asnjë mënyrë nuk mund të heqim dorë nga atdheu ynë, kjo është e pamundur. Po ashtu edhe brezat e ardhshëm. Nëse ne vdesim, ka të tjerë, apo jo?"- thotë një refugjat palestinez.
Por numri i atyre që kthehen është relativisht i vogël dhe konfliktet e reja, përndjekjet, krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut krijojnë valë të reja refugjatësh. Numri aktual i të zhvendosurve në mbarë botën është pothuajse i barabartë me popullsinë e Francës. Shumica e tyre janë nga Afganistani, Siria, Sudani i Jugut, Mianmari dhe Somalia.
"Kur u hedh një sy këtyre vendeve, mund të shohësh se si Afganistani, edhe Somalia kanë patur disa herë zhvendosje të njerëzve në mbi 40 vjetët e fundit".
Ninette Kelley është drejtoreshë e zyrës së UNHCR-së në New York. Ajo i tha Zërit të Amerikës se përleshjet fisnore në disa vende si Etiopia dhe Kameruni shkaktojnë zhvendosje të vazhdueshme brenda vendit, por ka edhe disa zhvillime më të reja.
"E tillë është Venezuela ku, që nga viti 2015, kanë ikur mbi 4 milionë njerëz."
Zonja Kelley thotë se në Kolumbi ka 1.3 milionë venezuelianë dhe në Peru ka rreth 800 mijë të tjerë, të regjistruar. Shumica e sirianëve janë strehuar në Turqi, Liban dhe në Jordani.
Disa vende strehojnë refugjatë të huaj, ndërsa përleshjet e tyre të brendshme shkaktojnë zhvendosjen e popullatave lokale.
Zyrtarja e UNHCR-së tha se shumica e njerëzve largohen nga shtëpitë e tyre vetëm si një mjet i fundit, kur ata kanë frikë për mbijetesë, dhe kjo, tha ajo, është arsyeja kryesore për një fluks të madh të njerëzve nga Amerika Qendrore në kufirin mes SHBA dhe Meksikës.
"Ka shumë situata, për shembull ka lagje që kontrollohen nga bandat rivale, ku zgjedhja për meshkujt është ose të bëhen pjesë e bandës për vrasjen e të tjerëve, ose të vriten vetë... Apo për femrat e reja, ekziston mundësia që ato mund të bëhen objekt abuzimi seksual dhe trafikimi.”
Raporti i OKB-së i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të investojë në ekonominë dhe sigurinë e vendeve, banorët e të cilëve janë të detyruar të largohen.
Ndaje me miqte