0030 210 33 18 483

Referendumi i pamundur Kurti në Shqipëri

Juli NDRIKO

19 Shkurt 2021

Fitorja e Kurtit erdhi aq afër zgjedhjeve shqiptare sa natyrshëm kemi instiktin të pyesim “Po në Shqipëri kur do të kemi një të tillë? Përvoja e deritanishme, gati dyfishi i viteve që politika kosovare prodhoi referendumin Kurti (Shqipëria ka 30 vite tranzicion, kurse Kosova ka vetëm 13 vite shtetformim), është dëshpëruese.

Nëse do kishe mundësinë të ishe në Kosovë para 14 Shkurtit, ose të bisedoje me një shtetas të Kosovës, do të dëgjoje vetëm një shprehje “LVV- (Lëvizja për Vetëvendosje), do të fitojë”. Dhe ajo që bënte përshtypje ishte se nuk kishte rëndësi se kujt krahu politik i përkiste folësi a bashkëbiseduesi yt. “E kujt tjetër mund t’i besosh”, ishte refreni që i bashkonte shtetasit e Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, duke konstatuar sidoqoftë me lehtësi se shumica ishin entuziastë dhe mbështetës për LVV-së. Nuk kishte dyshime për atë që do të ndodhte në 14 Shkurt, kështu që ajo që ndodhi vetëm se vulosi atë që dihej prej kohësh.

Kjo klimë mbështetjeje masive politike, ndihej dhe perceptohej mirë sidomos nga vetë LVV-ja, e cila, duke harruar simbolikën botërore të 14 Shkurtit, e cilësoi këtë ditë si ditën e referendumit të popullit të Kosovës. Referendum? Por për çfarë? Kurti deklaroi se referendum ishte për tu ndarë nga politika e vjetër e manipulimit, e korrupsionit dhe e interesave personale në lartësimin dhe fitoren e një politike të re për qytetarët e Kosovës që duan punë, drejtësi dhe mirëqenie. Kjo ndodhi!

Rezultatet e para, por sidoqoftë të besueshme, tregojnë se Albin Kurti kishte të drejtë me shpalljen e referendumit të tij, dhe ndonëse ajo që do të ndodhë më tej pritet të jetë një rebus me shumë të panjohura, e vërteta e madhe është se 14 Shkurti i 2021 u kthye për qytetarët e Kosovës në një ditë referendare, e ngjashme ndoshta në përfundimet befasuese zgjedhore të grekut Cipras dhe të Salvinit të Italisë. Dhe jo vetëm.

LVV-ja deri dje ishte një parti e krijuar nga një aktivist kontravers si Kurti, i cili gjendet në politikë si rezultat i ngjitjes hap pas hapi nëpër shkallët e saj. I ri, i palodhur, i qartë në synimet e tij, si thonë shumë i ngurtë dhe aspak konsensual, por sidoqoftë mjaft këmbëngulës, Kurti jo vetëm pritet të udhëheqë vendin me vota bindëse (ende pa mbaruar numërimi ka shpresë se mund të arrijë tek numri i artë 61, por edhe nëse nuk do ti duhen më shumë se 2 ose 3 deputetë për qeverisjen), por njëherësh pritet të jetë shumë më tepër. Gjasat janë që ai të jetë një fenomen i ri në politikë dhe një rast që do të duhet të studiohet nga studiuesit e politikës.

Por fitorja e Kurtit erdhi aq afër zgjedhjeve shqiptare sa natyrshëm kemi instiktin të pyesim “Po në Shqipëri kur do të kemi një të tillë? Përvoja e deritanishme, gati dyfishi i viteve që politika kosovare prodhoi referendumin Kurti (Shqipëria ka 30 vite tranzicion, kurse Kosova ka vetëm 13 vite shtetformim), është dëshpëruese. Shumë rebelë duke nisur me të ndjerin Gramoz Pashko dhe jo vetëm, majtas e djathtas prodhuan partiçka të vogla që u shkrinë më shpejt se bora e rënë në Tiranë këtë 14 shkurt, në një rastësi fatlume me 14 Shkurtin e valentinëve të botës dhe 14 Shkurtin e referendumit në Kosovës.

Partiçkat e vogla vijojnë ende të mbushin listën e të regjistruarve në zgjedhjet e shqiptare, por ato sidoqoftë nuk kanë mundur dot kurrë të shohin fitore, lere pastaj të jenë sadopak të ngjashme me atë të LVV-së. Edhe lëvizjet politike entuziaste si FRD e Topit, “Libra” e Blushit, “Sfida për Shqipërinë” e Bojaxhiut, të cilat duhen pranuar që u panë pak më me interes se shumë të tjerat,  për arsye të ndryshme nga njëra tjetra nuk e patën jetën të gjatë. Të njëjtat pritshmëri janë edhe për nismat e reja politike të këtyre zgjedhjeve si “Nisma” e Hajdarit, “Bindja Demokratike” e Patozit dhe “Lëvizja për ndryshim” e Topallit. Për të gjithë pa mëdyshje themi: njerëz të vjetër me emra të rinj!

PSE është pyetja e madhe që bëjnë të gjithë. Përse asnjëra prej tyre nuk mundi të rezistojë e jo më t’i ngjasonte Kurtit dhe Vetëvendosjes?

Përgjigjet janë të shumta dhe nga shumë këndvështrime, por unë besoj fort se një kontekst historik dhe politik pamundëson paralele mes tyre.

Në këndvështrimin historik, Kosova është vërtetë një shtet i ri, por konceptet e kapitalizmit dhe parimet e demokracisë qytetarët e saj i mësuan shumë herët, që me jetesën si krahinë autonome në Federatën Jugosllave, tashmë të shpërbërë. Qytetarët e Kosovës, me mundësinë e lëvizjes herët në Evropë kuptuan se nëse duan vërtetë zhvillimin duhet të shkëputen nga polariteti i politikës dhe të votojnë si qytetarë të pavarur për alternativat më të mira, pavarësisht se me çfarë ngjyre vishen këto alternativa.

Duke qenë nën Federatën Jugosllave, qytetarët e Kosovës skalitën në memorien e ndërgjegjjes së tyre nevojën për shtet dhe kjo i bën të pakalçifikuar tek ngjyrat. Kur bëhet fjalë për shtetin, për kosovarët pak rëndësi ka se me çfarë ngjyre vishet ai.

Në këndvështrimin politik, LVV-ja erdhi si lëvizje që kundërshtonte etjen për pushtet dhe pasurimin nëpërmjet korrupsionit dhe jo si armiqësi mes liderëve apo anëtarëve të një partie që konfliktoheshin për përfitime personale. LVV nuk është dalje nga partitë që dominonin skenën e politikës kosovare.

Ndryshe nga politika e deritanishme LVV-ja u formua nga njerëz të rinj, idealistë si vetë Kurti, të paktën deri tani dhe po kështu, plot energji dhe njohuri të reja.

Ndryshe nga LDK dhe PDK, LVV-ja nuk premtoi shumë, por e mbështeti programin në dy sfida të prekshme për qytetarin: Punësim dhe drejtësi.

Dhe diçka që i bashkon të dy kontekstet, Kosova jo vetëm e njeh kulturën demokratike të zgjedhjeve dhe të pranimit të rezultateve zgjedhore, por nëpërmjet ligjit zgjedhor iu mundëson të drejtën që të votojnë të gjithë qytetarëve të saj me banim jashtë Kosovës.

Të gjitha këto ndryshime mundësuan në Kosovë referendumin Kurti dhe pamundësojnë një lëvizje të suksesshme referendare në Shqipëri. Të gjitha këto dhe shumëëëëë….. të tjera tregojnë se sa larg gjendet politikisht dhe jo vetëm, Shqipëria nga Kosova.  Ndaj nëse duam të nisim një rrugë të re, sërish Kurti ka të drejtë kur deklaron se: “Idetë e vjetra janë ide të vjetra, me kalimin e kohës vjetërsia shtohet, pra, idetë e vjetra bëhen edhe më të vjetra dhe nuk besoj që do të mund të shndërrohen në projekte të reja. Projektet e vjetra kanë dështuar dhe nuk kemi nevojë për rigjenerim të tyre”.

Ja, pra, pika nga duhet t’ia nisim!

Ndaje me miqte