0030 210 33 18 483

Reporterët pa Kufij: “Basir Çollaku si Roberto Saviano”

Robert Goro 02 Dhjetor 2018

Raporti më i fundit i organizatës Reporterë pa Kufij (Reporters without Borders” – RwB), i referohet edhe tre gazetarëve shqiptarë: Klodiana Lala, Alida Tota dhe Basir Çollaku. Sipas RwB, ata kërcënohen nga krimi dhe nga politika.

Me një gjuhë koncize dhe tejet të saktë, raporti është ndalur disi më gjatë në rastin e gazetarit të njohur Basir Çollaku, të cilin e krahason me shkrimtarin e njohur italian Roberto Saviano.

Ja se çfarë shkruhet konkretisht në referimin për Basir Çollakun:

“Gazetari shqiptar në profesion të lirë, Basir Çollaku është në prag të zgjedhjes së largimit nga vendi, ashtu si Roberto Saviano që tashmë e kalon pjesën më të madhe të kohës në SHBA, se sa në Itali.

Çollaku pezmatoi ministrin e brendshëm shqiptar për shkak të një interviste ekskluzive me Dritan Zaganin, shef i njësisë antidrogë në një qytet provincial, i cili u kërcënua dhe u arrestua pas denoncimit të korrupsionit në polici. një gazetë dhe një televizion pranuan të transmetonin intervistën e Çollakut, por më vonë u tërhoqën, pas ndërhyrjes së kryeministrit dhe ministrit të brendshëm.

Në fund, intervista e Çollakut u publikua vetëm në rrjetet sociale, ndërsa disa media qeveritare e denigruan gazetarinë e tij. Dy vjet më vonë, provat e prezantuara në një ndjekje penale në Itali, konfirmuan disa nga zbulimet e Çollakut, por pa shkuar paq larg sa të penalizohej  (tashmë ish) ministri i brendshëm.

Jeta e Çollakut ndërkaq, është shndërruar në një makth dhe ai i ka kufizuar lëvizjet natën, i trembur se mund të targetohet (goditet) nga banditë të paguar prej trafikantëve të drogës. Kjo situatë ka influencuar si në jetën e tij familjare, aq edhe në punën e tij, teksa shumë media i kanë kthyer krahët nga frika se mos armiqësohen me klikën qeverisës të vendit.

Ai (Çollaku) tashmë po mendon seriozisht të largohet nga Shqipëria për hatër të jetës paqësore që Saviano është përpjekur të rifitojë, duke vendosur një oqean në mes vetes dhe vendit të tij”, shkruhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

 

Kush është Roberto Saviano

I lindur në 1979 në Napoli, gazetari dhe shkrimtari Roberto Saviano u bë i famshëm me botimin në 2006 të librit “Gomorra”, ku demaskon organizatën kriminale Camorra. Vetëm në Itali libri shiti 1,8 milionë kopje, ndërsa u përkthye në 40 gjithë të botës.

Që nga ai moment filluan kërcënimet për jetën e shkrimtarit investigativ, kërcënime që kulmuan pas tetorit 2006. Atëherë, Saviano denoncoi publikisht katër pjesëtarë të Camorra-s, mes të cilëve edhe “bosin” e të quajturit Clan dei Casalesi, Francesco Bidognetti. Përballë kërcënimeve tepër serioze, ministri i brendshëm i Italisë, Giuliano Amatto, urdhëroi vendosjen në ruajtje të përhershme të Savianos.

Në tetor 2008, gjashtë shkrimtarë dhe politikanë -fitues të çmimit Nobel, nënshkruajtën një letër të hapur, drejtuar qeverisë italiane, ku nënvizohej se lufta kundër Camorra-s është luftë për demokracinë dhe ka të bëjë me të gjithë qytetarët, jo vetëm me Savianon dhe policinë italiane. “Kërkojmë mbrojtjen me çdo kushte të Roberto Savianos”, thuhej në letrën e nënshkruar nga nobelistët Orhan Pamuk, Dario Fo, Gunter Grass, Mikhail Gorbaçov, Desmond Tutu e Rita Levi Montalcini, e të firmosur gjithashtu nga dhjetra personalitete me reputacion ndërkombëtar të fushave të ndryshme.

Ishte menjëherë pasi informatori Carmine Schiavone, kushëri i Francesco Schiavones (bosit të klanit Casalesi), u tha hetuesve se planifikohej eliminimi i Savianos dhe eskortës së tij policore. Atentati me bombë do të kryhej në Krishtlindje, në autostradën që lidhte Romën me Napolin.  

Në të njëjtën periudhë, Saviano bëri publik vendimin që të largohej nga Italia, pasi nuk donte të jetonte më si i burgosur, por donte të jetonte lirshëm jetën e tij...

... Besoj, kuptohet qartë se përse organizata dinjitoze e mbrojtjes së gazetarëve, e ka krahasuar Basir Çollakun me Roberto Savianon.

 

P.S. Në 2013, kryetari i bashkisë së florentinëve (e më vonë kryeministër i Italisë), Matteo Renzi, e shpalli Roberto Savianon qytetar nderi të Firences. Dy vjet më vonë, Unioni ndërkombëtar Atronomik, i dha asteroidit 278447 emrin “Saviano”, në nderim të meritave si shkrimtar e gazetar.

Ndaje me miqte