Reuters: Franca insiston për veto ndaj Tiranës dhe Shkupit
TV TRIBUNA
15 Tetor 2019
BRUKSEL/ 15 TETOR: Vetoja franceze ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mbeti në fuqi edhe dje, një ditë para mbledhjes kritike të këshillit të çështjeve të përgjithshme të Bashkimit Europian.
Çështja e zgjerimit e ka përçarë BE-në, me Gjermaninë dhe Austrinë të mbështesin hapjen e negociatave me të dy vendet, dhe Francën të refuzojë, duke vlerësuar se të dy vendet kandidate nuk janë ende gati.
Posaçërisht ndaj Shqipërisë, qëndrimin e Francës e mbështesin Danimarka, Holanda dhe Spanja, ndërsa parlamenti gjerman, në rezolutën ku miratoi hapjen e negociatave, vuri kushte plotësuese për Shqipërinë. Një nga këto kushte i drejtohej partisë motër të Kristian Demokratëve, partisë Demokratike të Shqipërisë, të cilës deputetët gjermanë i bënë thirrje që të rikthehet në legjitimitetin kushtetues. Ndër kushtet përfshihet gjithashtu finalizimi i reformës në drejtësi, për shkak të së cilës janë përjashtuar shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe reforma e ligjit zgjedhor me konsensusin e gjithë forcave politike.
Nuk shkojnë “paketë”
Në fund të javës së kaluar, komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn, kërkoi nga Këshilli Europian që të “mos ndëshkojë” Maqedoninë e Veriut për shkak të Shqipërisë dhe të mos adoptojë opsionin që të dy vendet shkojnë si “një paketë”.
Analistët vlerësojnë që në rast të një shtyrjeje të re, boshllëkun e BE-së do ta mbulojnë “lojtarë” të tjerë ambiciozë si Rusia, Kina dhe Turqia.
Mbledhja e sotme (15 tetor) e këshillit të çështjeve të përgjithshme do të avancojë në rekomandime ndaj kryetarëve të shteteve dhe qeverive që do të takohen nesër në Bruksel.
Ndaje me miqte