0030 210 33 18 483

Rindërtimi pas tërmetit, sot në Bruksel Konferenca e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”

ATSH 17 Shkurt 2020

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ -Bashkimi Europian do të organizojë sot, Konferencën e Donatorëve Ndërkombëtarë “Së bashku për Shqipërinë” për mbështetjen e programit të rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor 2019.

E organizuar nga Komisioni Europian, Konferenca do të mbledhë së bashku BE-në dhe vendet anëtare, partnerë nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues të vendeve të tjera, si dhe të organizatave ndërkombëtare dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si OKB dhe Banka Botërore do të marrin pjesë.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të hapë Konferencën në orën 14:30 së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

Fjalimet hapëse do të pasohen së pari nga një prezantim, që do paraqitet nga Komisioneri Europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, lidhur me reagimin fillestar të emergjencës dhe për vlerësimin e nevojave të pas tërmetit, i përgatitur nga BE-ja, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe qeveria e Shqipërisë dhe që do të shërbejë si baza e programit të rindërtimit dhe rehabilitimit.

Komisionieri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë seancën e donatorëve, që do të nisë në orën 16:30.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri Rama do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët shtypi në selinë e Komisionit Europian, Berlaymont, rreth orës 18:45.

Më 26 nëntor 2019, një tërmet me magnitudë 6,3 ballë i shkallës Rihter goditi Shqipërinë duke shkaktuar dëmtime në infrastrukturat publike dhe private. Si pasojë e këtij tërmeti humbën jetën 51 persona.

Ndaje me miqte