0030 210 33 18 483

Robert Goro: Athinë Tiranë, marrëdhënie të shkëlqyera, por emigrantët mbeten prapa liste

Robert Goro 12 Dhjetor 2022

Në prag të takimit të ministrave të jashtëm, Dendias e Xhaçka në Athinë, në 2 dhjetor 2022

 

Të premten 2 dhjetor në Athinë do të takohen ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka.

Sipas programit zyrtar, fillimisht do të takohen dy delegacionet për të zhvilluar bisedime.

Dhe duhet të kenë mjaft gjëra për të diskutuar, përderisa takimi do të fillojë në orën 8 të mëngjesit.

Mbi temën e bisedimeve, ministria e jashtme greke njofton se ato do të fokusohen në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe në çështje me interes europian e rajonal, përfshirë zhvillimet në Ukrainë dhe procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Takimin kokë më kokë me ministren e jashtme të Shqipërisë, e ka paralajmëruar vetë ministri i jashtëm grek, në një mesazh që dërgoi me rastin e mbrëmjes për festën tonë kombëtare që organizoi ambasada shqiptare në Megaro Musikis në Athinë.

Zoti Dendias që kishte qenë vjet i pranishëm në të njëjtën mbrëmje, vë në dukje në mesazhin e tij se “për fat të keq, nuk mundem sonte të ndodhem mes jush”.

Më tej, mesazhi i tij vazhdon:

Populli grek dhe populli shqiptar ndërlidhen lidhje tradicionale miqësie. Greqia dhe Shqipëria ndajnë mes tyre shumë më tepër gjëra se sa kufijtë e përbashkët.

Ndajnë një histori të gjatë ndërvarjesh reciproke dhe shkëmbimesh.

Skënderbeu është hero kombëtar në të dy vendet tona.

Që të dy vendet kanë vuajtur nën fashizmin gjatë luftës së dytë botërore.

Ndërlidhen gjithashtu falë pranisë së minoritetit etnik grek në Shqipëri, si dhe numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi.

Duke ndërtuar mbi këtë themel unikal, marrëdhëniet tona lulëzojnë me dobi reciproke.

Jemi të vendosur të promovojmë bashkëpunimin tonë në fusha të ndryshme me interes të përbashkët dhe të zgjidhim problemet mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare.

Me vështrimin në vazhdimin e bashkëpunimit ju uroj një festë kombëtare të paharruar dhe një mbrëmje të këndshme, përfundon mesazhi që ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias i drejtoi mbrëmjes së organizuar nga ambasada shqiptare në Megaro Musikis.

Është e vërtetë se këto dy -tre vitet e fundit, kontaktet e nivelit të lartë midis të dy vendeve kanë marrë një hov të paparë.

Pavarësisht se meraku im mbetet që nuk kemi ende një vizitë me të vërtetë zyrtare të kryeministrit shqiptar në Athinë apo të kryeministrit grek në Tiranë.

Ndërkaq, Rama e Mitsotakis janë takuar tre herë në Athinë dhe kanë vënë disa pika mbi “i”.

E rëndësishme është që këto kontakte kanë prodhuar edhe rezultate.

Dhe nuk e kam fjalën thjesht te konsensusi i arritur për çështjen e zonave detare që t’i përcillet gjykatës së Hagës.

Pas një pauze mjaft të gjatë kanë filluar kontaktet intensive për çështjen e pensioneve dhe duket po ecet me shpejtësi drejt zgjidhjes, siç na konfirmoi para disa ditësh drejtori i institutit të sigurimeve shoqërore, Astrit Hado.

Me shumë vonesë pala greke ka pranuar më në fund heqjen e vulës apostile, duke u kursyer shqiptarëve para dhe kohë.

Pardje, shatërvani i Omonias u ngjyros për të dytin vit radhazi me ngjyrat e flamurit shqiptar për nder të ditës së pavarësisë.

Sidomos zhvillime të tilla as që mund të imagjinoheshin, por tashmë janë realitet.

Këtu mendoj se ka luajtur rol mjaft domethënës edhe ambasadorja Shqipërisë në Athinë, zonja Luela Hajdaraga.

E cila duket se u ka fituar zemrat zyrtarëve grekë, jo për shkak të pamjes së hijshme, por më së pari në sajë të punës së saj serioze, metodike, këmbëngulëse.

Shpresoj që në një të ardhme të afërt evidentojmë hollësisht vlerat e kontributit të zonjës Hajadaraga në këto më pak se dy vjet në krye të misionit në Athinë. Vlera që shtrohen edhe në një vëmendje mjaft të madhe e krejt të paanshme ndaj komunitetit, me veprimtaritë e panumërta që organizohen nga ambasada e në selinë e ambasadës.

Por unë insistoj te bashkëpunimi me palën greke.

Sepse është fakt që dallohet qartazi tashmë se prezantimi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë në Greqi është bërë më i shpeshtë, më dinjitoz; tek e fundit ashtu siç e meriton.

Pas hapjes reciproke të shënuar para 30 vjetëve, marrëdhëniet midis Shq9ipërisë e Greqisë janë karakterizuar jo pak herë nga tensione që në masë të madhe krijoheshin nga probleme jo fort thelbësore e që në një farë mënyrë kompromentonin predispozicionin e sinqertë të dy palëve për marrëdhënie të mira.

Për fat, ato tensione duket se tashmë i përkasin me të vërtetë të kaluarës.

Pas 30 vitesh të pranisë së shqiptarëve në Greqi grekët duhet të jenë bindur se kjo prani krijon veç të mira materiale e shpirtërore e asnjë problem.

Po ashtu, dhe në Shqipëri duket se janë bindur që prania e minoritetit grek nuk përbën “kalë troje”, siç ka pretenduar një pakice shpërfillëse por me vokacion të madh mediatik. Përkundrazi, minoriteti e ka treguar veten si një faktor tepër konstruktiv në shoqërinë shqiptare post komuniste.

Prandaj mendoj që sot është koha, është tajmingu më i mirë që marrëdhëniet greko shqiptare të ngrihen me të vërtetë në atë nivel të shkëlqyer që reklamojnë politikanët në të dy anët e kufirit.

Shenja më e mirë, vërtetimi i këtij niveli do të mund të ishte zgjidhja e disa problemeve në dukje të parëndësishme por që afektojnë deri në stërmundim jetën e bashkatdhetarëve tanë në Greqi.

Për pensionet e thamë, po bëhen hapa drejt zgjidhjes dhe shpresojmë që kjo zgjidhje të vijë shpejt.

Por kemi problemin e lejeve të qëndrimit.

Mjaft prej bashkatdhetarëve tanë erdhën këtu në moshën 35-40 vjeç, në moshën më aktive. Derdhën djersën në radhë të parë në dobi të familjeve të tyre, por dhe vendi pritës, pra Greqia, nuk ndenjti pa përfituar, madje shumë.

E kemi thënë sërish, nëpër vite, politika dhe media greke ka veçuar kontributin e rëndësishëm të komunitetit shqiptar në jetën sociale dhe ekonomike greke.

Mjaft prej këtyre bashkatdhetarëve sot janë në moshë pensioni, të cilin ose nuk e përfitojnë deri më tani, ose e marrin jashtëzakonisht të reduktuar.

Kjo kategori trajtohet si gjithë të tjerët sa i përket lejes së qëndrimit.

Duhet të paguajnë paravolon 150 euro dhe, nëse nuk kanë siguracion, që shumica nuk kanë mund të bëjnë siguracion privat, pra të paguajnë edhe 150-200 euro të tjera.

Dhe më e keqja, leja u jepet vetëm për dy vjet.

Do të ishte në nderin e shtetit grek që kjo kategori të merrte një leje pa afat dhe mundësisht edhe pa kosto.

Por që shteti grek ta bëjë këtë, duhet që dikush ta kërkojë.

Dhe zëdhënësi më i mirë, zëdhënësi i vetëm i qytetarëve të tij duhet të jetë shteti shqiptar.

Ashtu siç duhet të jetë zëdhënës edhe në çështjen e nënshtetësisë.

Dihet se mjaft prej bashkatdhetarëve iu është refuzuar nënshtetësia për shkak se nuk plotësojnë të ardhurat.

Përveç se lë për të dëshiruar nga pikëpamja humane, ky refuzim është edhe absurd. Dhe shpjegohem:

Shumica e aplikantëve për nënshtetësi i kanë fëmijtë grekë tashmë, pra fëmijtë kanë marrë nënshtetësinë dhe djemtë shkojnë apo do të shkojnë të kryejnë shërbimin ushtarak. Një shërbim që tashmë përbën një sfidë të madhe në kushtet e tensionimit gjithmonë në rritje në marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë.

Pra, fëmija im është kaq i denjë saqë Greqia i beson fatin e vet, por prindi i tij për shkak se i mungojnë ca qindra apo mijëra euro, nuk mund ta marrë nënshtetësinë.

Më besoni, nuk janë populizma këto që them.

Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare ka marrëveshje dypalëshe që i zgjidhin këto probleme.

Bie fjala, Greqia ka një marrëveshje të veçantë me Egjiptin për emigrantët egjiptianë që punojnë këtu në sektorin e peshkimit.

Nuk e di nëse këto që thashë më sipër do të diskutohen në takimin e nesërm në ministrinë e jashtme greke.

Por edhe nëse nuk u diskutuan ka ardhur koha që të përfshihen në axhendë dhe madje të këmbëngulet për zgjidhjen.

Ndaje me miqte