0030 210 33 18 483

Robert Goro: Kush po tallet me patentat shqiptare në Greqi?

Robert Goro 10 Shkurt 2020

Kanë kaluar plot 10 ditë që kur parlamenti grek votoi marrëveshjen për njohjen e patentave shqiptare.

Në nenin e fundit të draftit që u votua nënvizohej se ligji hyn në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare, gjë që u bë më 31 janar.

Gjatë gjithë javës që kaloi bashkatdhetarë në gjithë Greqinë janë drejtuar në zyrat përkatëse, ku kanë marrë përgjigje të ndryshme, që nga ajo qe ligji nuk ka filluar akoma të zbatohet e deri tek përgjigjja e çuditshme se patentat shqiptare nuk kanë për t’u njohur kurrë.

Mjaft prej këtyre bashkatdhetarëve na kanë telefonuar apo shkruar. Disa madje na kanë akuzuar se jemi gënjeshtarë apo se tallemi...

E mirëkuptojmë hallin e tyre, por ata e bëjnë si ai që nuk kishte ç’i bënte gomarit dhe i binte samarit.

Roli i vetëm i TV Tribuna në gjithë këtë histori ka qenë të përcjellë me korrektesë e saktësi çdo zhvillim. Dhe këtë e kemi bërë që nga maji i vitit 2018, kur u nënshkrua marrëveshja nga dy ministrat e jashtëm e deri më sot.

Puna jonë është vetëm të përcjellim lajmin, por edhe të “cysim” autoritetet për të gjetur sa më shpejt zgjidhje.

Për fat të keq, autoritetet nuk po e vënë ujin në zjarr...

Ne do të vazhdojmë edhe në ditët e ardhshme të “bezdisim” ministrinë greke të transporteve. Nuk duhet harruar që ishte zëvendësministri i transporteve ai që e mbrojti marrëveshjen gjatë diskutimit dhe votimit në parlamentin grek.

Me vënien në zbatim të marrëveshjes nuk është se po u bëhet ndonjë nder apo favor shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi e që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të nxjerrin patentë greke.

Ministria e transporteve thjesht zbaton detyrën e vet, që konsiston në zbatimin e akteve që votohen nga parlamenti grek dhe shndërrohen në ligje të shtetit.

Ashtu siç tregojnë ligjin kur u vënë gjoba dhe i çojnë në gjyq shqiptarët që i kapin pa patentë greke...

Këta shqiptarë që kanë paguar deri më një, e madje dhe me të tepërt gjithë detyrimet e tyre kundrejt shtetit grek.

Tashmë është momenti që edhe shteti grek të tregojë seriozitetin e vet.

Por seriozitet duhet të tregojë edhe shteti shqiptar, nëpërmjet përfaqësisë së vet diplomatike, që është ambasada shqiptare në Athinë.

E cila ambasadë, në datën 4 shkurt njoftonte gjithë entusiazëm se më në fund marrëveshja ka hyrë në fuqi.

“Nga dita e sotme, datë 4.2.2020 hyn në fuqi marrëveshja për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit midis republikës së Shqipërisë dhe republikës helene”, thuhet në njoftimin e publikuar në profilin e Ambasadës Shqiptare në Facebook.

Natyrisht, ambasada ka informacion shumë më të mirë se ne dhe unë nuk dua të ve në diskutim vërtetësinë e njoftimeve të selisë diplomatike shqiptare në Athinë.

Mirëpo, si i bëhet që edhe pas këtij njoftimi, pala greke insiston se zbatimi i marrëveshjes ende nuk ka filluar.

Gjithsesi, kam mendimin që ambasada, në vend të njoftimeve të tilla, do të bënte mirë të lobonte me autoritetet greke që zbatimi i marrëveshjes të fillonte menjëherë.

Votimi i marrëveshjes ishte paralajmëruar që në fund te tetorit, në takimin që kryeministri shqiptare Edi Rama zhvilloi me homologun e vet Kyriakos Mitsotakis.

Ambasada kishte në dispozicion plot tre muaj që ta bënte këtë lobim.

Nëse është përpjekur të bëjë por nuk ka pasur rezultat, prapëseprapë, mban përgjegjësi.

Nëse nuk e ka bërë, apo nuk i ka shkuar mendja ta bëjë, atëherë përgjegjësi është akoma më e madhe.

Sepse roli i ambasadës nuk është ai i arkëtarit që vetëm vjel paratë e qytetarëve, por më së pari të mendojë dhe të kujdeset për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Para se ta mbyll dua t’ju kujtoj që, edhe nëse marrëveshja fillon të zbatohet, nuk mund të qarkulloni pa merak nëse nuk e keni konvertuar patentën.

Ndaje me miqte