0030 210 33 18 483

Robert Goro: Si më shpëtuan jetën dy çunat e mi, ende pa u lindur...

Robert GORO 15 Shtator 2018

Si sot, 19 vjet më parë, 14 shtatori do të mund të ishte dita ime fatale. Pasditen e 14 shtatorit 1999, unë mund të isha në bordin e avionit qeveritar që po çonte në Bukuresht zëvendësministrin e jashtëm grek, Jannos Kranidiotis, i cili humbi jetën bashkë me të birin, dy gazetarë, një kameraman, një prej badigardëve dhe një pjesëtar të ekuipazhit.
Si korrespondent i BBC në Athinë, isha dhe unë pjesë e ekipit të gazetarëve, që do të shkonim për të mbuluar takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit.

Por në mëngjes herët, në momentin që do të nisesha për në aeroport, ime shoqe, Diana, duke më parë me trishtim, më tha: “Do të më lesh vetëm?”...
Ishte në “ditët e veta” si i thonë fjalës, për të lindur dy trimat tanë, Evrin dhe Themin. Nuk u mëdyshova aspak. Telefonova në ministrinë e jashtme greke, për t’iu thënë se e anuloja pjesëmarrjen time. Zëri nga ana tjetër e telit u ankua që pse nuk njoftova më përpara. “Kishte kaq kërkesa, mund të kishim vënë në listë një koleg tjetër”. Kërkova mirëkuptimin e tyre dhe e mbylla telefonin.
Pasdite, mbërriti lajmi i kobshëm, për tragjedinë e avionit qeveritar Falcon. Turbulencat, 20 minuta para se avioni të ulej në aeroportin e Bukureshtit, kishin vrarë gjithë ata që ndodheshin në bord pa lidhur rripat e sigurimit: gjashtë njerëz. Unë do të kisha qenë me siguri i shtati , pse kisha zakonin e keq që të shisja mend e ta vija rripin vetëm kur ishte e detyrueshme, në ngjitje dhe në ulje.
Atë natë dhe për shumë ditë të tjera, tok me dhimbjen për ata njerëz që u ndanë kaq padrejtësisht nga jeta, nuk harroja të falënderoja Dianën dhe indirekt edhe dy çunat e mi që erdhën në jetë pesë ditë më vonë, mëngjesin e të dielës 19 shtator 1999.
Nuk harroj të falënderoj ata që më shpëtuan jetën dhe vazhdojnë te më mbajnë në jetë...

14 shtator 2018

Ndaje me miqte