Rritje të mëtejshme të ritmit të zhvillimit të ekonomisë greke, në nivelin 2,3% parashikon për vitin 2019 organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Parashikimi përfshihet në raportin 6 mujor për perspektivën e ekonomisë të vendeve anëtare të organizatës.
Në raportin që do të publikohet të mërkurën, OECD parashikon një rritje të ekonomisë greke me 2% sivjet dhe 2,3% vitin e ardhshëm, nga 1,3% në 2017. “Leva” e kësaj rritjeje ekonomike, sipas OECD-së janë eksportet, që janë forcuar për shkak të përmirësimit të kompewtivitetit dhe rritjes së kërkesës nga tregjet e jashtme.
Raporti parashikon gjithashtu se do të vazhdojë ulja e papunësisë nën 20% në 2019-n.
Sa i përket borxhit publik, OECD parashikon reduktimin në 172,5% të PBB-së sivjet dhe në 168% vitin e ardhshëm, duke nënvizuar qëndrimin e vet për nevojën e një ristrukturimi të ri të borxhit grek, kështu që të vendoset në një kurbë konstante uljeje.