RSF: 533 gazetarë të burgosur në mbarë botën, një rekord i ri
ATSH
14 Dhjetor 2022
GJENEVË, 14 dhjetor /ATSH-AFP/ – Numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën arriti një rekord të ri në vitin 2022 me 533 të tillë, rreth 40 më shumë se vitin e kaluar (488), sipas raportit vjetor të Gazetarëve Pa Kufij (Reporters sans frontieres – RSF).
Numri i gazetarëve të vrarë është gjithashtu në rritje (57), veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa ishte “historikisht i ulët” në 2021 (48) dhe 2020 (50).
Më shumë se gjysma e gazetarëve të arrestuar në botë deri më 1 dhjetor janë nga pesë vende, Kina (110), Burma (62), Irani (47), Vietnami (39) dhe Bjellorusia (31).
”Irani është i vetmi vend që nuk ishte pjesë e kësaj liste të zezë vitin e kaluar”, thekson OJQ-ja, e cila e mban këtë raport vjetor që nga viti 1995.
Republika Islamike në fakt ka burgosur një numër “të paprecedentë” profesionistësh të medias në 20 vjet që nga lëvizja e protestës që shpërtheu në shtator.
Tridhjetë e katër gazetarë të rinj iu bashkuan 13 që tashmë ishin arrestuar përpara se të fillonin protestat.
”Regjimet diktatoriale dhe autoritare po i mbushin më shpejt burgjet duke burgosur gazetarët”, denoncoi Christophe Deloire, sekretar i përgjithshëm i OJQ-së për mbrojtjen e lirisë së shtypit.
Brenda këtij vlerësimi gjithëpërfshirës global, RSF vë në dukje një numër të paprecedentë gazetaresh të burgosura, 78 (nga 60 vitin e kaluar).
“Gazetaret tani përbëjnë pothuajse 15% të të burgosurve, nga më pak se 7% pesë vjet më parë”, sipas RSF-së.
Ndaje me miqte