Ruçi uron homologun grek Tasoulas: Intensifikim i marrëdhënieve mes dy vendeve
ATSH
02 Gusht 2019
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, Kostas Tasoulas me rastin e zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni.
Në letrën e urimit drejtuar Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Greqisë, Kostas Tasoulas, Ruçi thekson se, marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe shkëmbimet dhe bashkëpunimi midis dy Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Greqisë do të intensifikohen gjithnjë e më shumë.
“Me rastin e zgjedhjes Tuaj në postin e Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Greqisë, më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen Tuaj me një mbështetje aq të madhe si dhe t’Ju uroj shumë suksese në përmbushjes e detyrës impenjuese dhe fisnike. Unë shpreh besimin e plotë se, me zgjedhjen Tuaj në këtë detyrë, marrëdhëniet mes dy vendeve tona fqinje, si dhe shkëmbimet dhe bashkëpunimi midis dy Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Greqisë do të intensifikohen gjithnjë e më shumë, në interesin tonë të përbashkët. Në këtë kuadër, për mua do të ishte një kënaqësi e veçantë t’Ju ftoj, në krye të një delegacioni parlamentar, për një vizitë zyrtare dhe miqësore në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Ju”, shkruhet në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, drejtuar homologut grek, Kostas Tasoulas.
Ndaje me miqte