Rusi, qindra të arrestuar pas protestave kundër luftës në Ukrainë
26 Shkurt 2022
MOSKË, 26 shkurt /ATSH-DPA/ – Policia ruse arrestoi të paktën 560 persona në protestat kundër luftës në Ukrainë, në 26 qytete, tha grupi i të drejtave civile OVD-Info në një raport të përditësuar sot.
”Avokatët e organizatës ishin në gjendje të ofronin ndihmë ligjore për disa prej të arrestuarve”, tha grupi.
Në shumë raste, të arrestuarit u gjobitën ose u ndaluan.
Tmerri mbi sulmin e vendit të tyre në Ukrainë ka shtyrë shumë njerëz në Rusi të dalin në rrugë në protestë.
Më shumë se 1 700 persona që protestonin kundër luftës ishin arrestuar të enjten, ditën e parë të luftimeve.
Në Gjeorgji, dhjetëra mijëra njerëz protestuan të premten në mbrëmje.
Në atë që media lokale tha se ishte një nga tubimet më të mëdha në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, prej disa kohësh, demonstruesit shprehën pakënaqësinë e tyre me qeverinë gjeorgjiane, e cila ka refuzuar t’i bashkohet vendeve të tjera në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Vetë Gjeorgjia pësoi një disfatë ushtarake nga Rusia në vitin 2008 në një luftë të shkurtër mbi rajonin separatist të Osetisë Jugore.
Ndaje me miqte