Rusia fajëson Izraelin për rrëzimin e avionit të saj nga Siria
Tribuna TV
18 Shtator 2018
Forca ajrore e Sirisë rrëzoi pa dashje një avion rus të mbikëqyrjes në Detin Mesdhe, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke fajësuar, siç tha, "veprimet e papërgjegjshme" të Izraelit.
Të pesëmbëdhjetë personat që ndodheshin në bordin e avionit vdiqën.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha përmes një deklarate se pilotët izraelitë, duke kryer sulme mbi objektivat në Siri, "kanë përdorur aeroplanin rus si mbulesë, duke e ekspozuar ndaj zjarrit të forcës ajrore të Sirisë".
"Si rezultat i veprimeve të papërgjegjshme të ushtrisë izraelite, 15 ushtarakë rusë vdiqën. Kjo absolutisht nuk korrespondon me frymën e partneritetit Rusi-Izrael", tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Igor Konashenkov.
"Ne rezervojmë të drejtën për të marrë masa të duhura si përgjigje", shtoi ai.
Kjo deklaratë u bë pak orë pasi ministria njoftoi se avioni Ilyushin Il-20 është zhdukur nga radari, rreth 35 kilometra larg bregdetit sirian, natën e shkuar.
Nuk ka ende komente nga Qeveria e Izraelit apo e Sirisë.
Rusia ka nisur sulme ushtarake në Siri në vitin 2015, pas kërkesës së presidentit sirian, Bashar al-Assad, i cili ka mbetur në pushtet pavarësisht shtatë vjetëve luftë civile.
Nga konflikti, deri më tani, janë vrarë mbi 350 mijë njerëz.
Foto: Avionë luftarakë rusë dhe personel ushtarak në një bazë ajrore jashtë Latakias, Siri, në vitin 2016.
Ndaje me miqte