Samsung"? prezanton Galaxy Note 9
ATSH
10 Gusht 2018
Prodhuesi i pajisjeve elektronike koreano-jugori ”Samsung” prezantoi në Nju Jork modelin e fundit të smarfonëve, Galaxy Note 9, megjithëse po përballet me ngadalësim të shitjeve.
Gjithnjë në krye të shitjeve të smartfonëve në botë, Samsung regjistroi një rënie me 22% të të ardhurave në tremujorin e dytë.
Një dështim që lidhet me shitjet zhgënjyese të modelit të tij Galaxy S9, i prezantuar në muajin mars. Rritja e konkurrencës nga prodhuesit e pajisjeve kineze, të udhëhequra nga ”Huawei” shpjegon gjithashtu këtë ngadalësim.
Modeli Galaxy Note 9 që u prezantua sot dhe do të hidhet në treg më 24 gusht me një seri përmirësimesh dhe risish.
“Samsung Galaxy Note 9”
“Samsung Galaxy Note 9” zë vendin e tij në krye të linjës së smartfonëve të prodhuar nga “Samsung”. Në pamje të parë “Note” i ri duket si një përmirësim i vogël i modelit “Galaxy Note 8”, por në të vërtetë ka shumë përmirësime të konsiderueshme, shkruan faqja në internet që i dedikohet botës së smartfonëve, “GSMArena”.
Si fillim, “Samsung Galaxy Note 9” ka ruajtur kryesisht pamjen e paraardhësit të tij por ka një ekran më të madh, 6,4 polësh (normalisht pa korniza) dhe një bateri 20% më të madhe, 4 000 miliamper.
Në fakt ky është ekrani më i madh që “Samsungu” vendos në një telefon flamurtar. Me madhësinë 6,4 polësh ai është 0,1 polësh më i madh se sa “Galaxy Note 8” dhe ka të njëjtin rezolucion 1440×2960 piksel, duke pësuar një rënie të dëndësisës me pesë piksel. Për më tepër ekrani është i teknologjisë “Super AMOLED” që suporton teknologjinë HDR10 dhe “Always On Display”.
Në fakt as tek modeli “Galaxi Note 9” nuk ka një lexues të gishtit posht ekranit, por ai që ndodhet pas është vendosur në një pozicion qendror dhe më praktik për t’u përdorur.
Për sa i përket kamerës dhe procesorit ato kanë qëndruar të njëjtat me “Samsung Galaxy S9/S9+”.
Kamera e pasme është 12 mega piksel me dy lente dhe kanë sistemin e hapjea së dyfishtë të “Galaxy S9+” që lëviz nga F/1,5 dhe f/2,4. Ndërsa kamera për selfie është 8 mega piksel me një hapje f/1,7.
Procesori është “Exynos 9810 Octa”, por janë shtuar bokset stereo.
“Galaxy Note 9” sigurisht që shoqërohet edhe me teknologjinë më të fundit të rezistencës ndaj ujit dhe plurhurit, IP68. Me të njëjtën teknologji është pajisur edhe “S Pen”.
“Samsung” e di se “S Pen” është me shumë mundësi arsyeja më e madhe përse personat blejnë telefonat model “Galaxy Note”, kështu që modelin e ri e kanë bërë edhe më të zgjuar.
Në fakt ky është “S Pen” i parë me teknologji “Bluetooth”. Ai mund të përdoret si një shkrepës i kamerës. “S Pen” ka një rreze prej 10 metrash dhe një bateri që mban deri në 30 minuta (ose 200 shtypje). Ai rimbushet për vetëm 40 sekonda në mbajtësen që është brenda telefonit. “S Pen” suporton gjithashtu tre komanda, shtypje të shkurtër, shtypje të gjatë dhe shtypje të dyfishtë.
Një nga ndryshimet e mëdha që ka sjellë “Samsung” me modelin “Note 9” është që nuk ka më nevojë për një “Dex Dock”, një tastjerë fizike dhe një mauz. Në fakt “Galaxy Note9” mund të përdoret si kompjuter vetëm duke përdorur një lidhje të thjeshtë me kabllin USB-C.
Modeli bazë i “Galaxy Note 9” vjen me 6GB RAM dhe memorje të brendshme 128 GB. Nëse nuk është mjaftueshë kaq memorje, atëher mund të shtohet me një kartë “microSD”. Modeli më i mirë i “Galaxy Note9” ka një memorje të brendshme prej 512GB dhe 8GB RAM.
“Samsung Galaxy Note 9” vjen me ngjyrat “Ocean Blue”, “Midnight Black”, “Lavender Purple”, “Metallic Copper”.
Në fund, modeli “Galaxy Note9” 6GB/128GB do të kushtojë 999 dollarë ndërsa modeli 8GB/512GB do të kapë vlerën e 1 250 dollarëve.
Ndaje me miqte