0030 210 33 18 483

Selanik, biznesmeni i suksesshëm shqiptar ndan përvojën me homologë nga rajoni

TV TRIBUNA 19 Prill 2019

Në Hotel Hyatt Regency Thessaloniki, u zhvillua veprimtaria e 30-të “Money Show”, me qëllim daljen nga kriza në fushat: Sektori i Parë i Ekonomisë, Eksportet dhe zhvillimi ekologjik, Inovacioni dhe sipërmarrja.

Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Jashtme e Greqisë, Ministria e Maqedonise-Thrakës, Ministria e Turizmit, Presidenca e Rajonit të Maqedonisë Qendrore, Bashkia e Selanikut, Ambasada Italiane në Athinë dhe Dhoma Tregtare Greko-Italiane në Selanik.

Konsullata Shqiptare në Selanik, në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe te Industrisë organizuan një panel me teme: “Mundësitë e zhvillimit të shkëmbimeve tregtare midis vendeve Ballkanike”.

Biznesmeni i suksesshëm shqiptar, Jorgo Luli Karaj, i promovuar në këtë aktivitet nga Konsullata Shqiptare në Selanik, ndau eksperiencën e tij me të ftuarit e tjerë, nga Bullgaria, Turqia, Rumania.

Ai zhvillon aktivitetin tregtar me qendër në Greqi (Skidra-Pella), në Shqipëri (Tiranë) si dhe ka nënshkruar kontrata tregtare me Bullgarinë, Rumaninë, Turqinë, Greqinë, Indinë, SHBA-të, Gjermaninë.

Ka të punësuar rreth 100 punonjës prej të cilëve 60 janë shtetas shqiptarë si dhe bashkëpunon me rreth 800 familje fermerësh grekë. Vetëm investimi i kryer nga zoti Karaj dhe ortaku i tij zoti Kokonozi kap vlerën e 1.5 milion Euro.

Zoti Karaj duke u mbështetur në eksperiencën e tij personale në biznesin e ngritur në Shqipëri si dhe duke iu referuar vendimeve të fundit te qeverisë Shqiptare për të tërhequr biznesin e huaj në Shqipëri, paraqiti një tablo me të qartë të mundësive për të ngritur biznese në Shqipëri ne fushën e hotelerisë dhe në fushën e agroturizmit.

Në fund ai u shpreh: “Duhet fituar më pak dhe duhet punuar më shumë. Duhet vepruar në mënyrë më të zhdërvjellët në treg. Duhet investuar në ide, në teknologji dhe në potenciale njerëzore. Bizneset tona duhet të jenë që nga punëtori i fundit dhe deri tek pronari me një frymë familjare. Kështu që na del për detyrë të rrisim edhe me shumë marrëdhëniet tregtare në familjen tonë Ballkanike”.

Ndaje me miqte