0030 210 33 18 483

Selanik, pranë bashkatdhetarit që shpëtoi nga vetëvrasja

TV TRIBUNA 07 Shtator 2020

Të dielën një qytetar shqiptar ka mbajtur për 5 orë në ankth opinionin, pasi kërcënonte se do të hidhej nga kati i 12-të i një godine.

Më në fund, 62 vjeçari shqiptar është bindur nga negociatorët e policisë dhe ka pranuar mos ta realizojë tentativën tij.

Pranë bashkatdhetarit janë gjendur drejtues të Komunitetit Shqiptar të Selanikut (KSHS), që i kanë ofruar mbështetje psikologjike dhe financiare.

Në një njoftim për shtyp të KSHS thuhet:

Për gjendjen e qytetarit F.L. pas tentativës së tij për t’u hedhur nga kati i 12-të

Kryetari dhe dy anëtarë të KSSH vizituan mesnatën e mbrëmshme rajonin policor të Lefkos Pirgos, ku u interesuan për gjendjen e bashkëqytetarit tonë F.L.

Siç bënë të ditur mediat në Selanik, F.L. i moshës 62 vjeçare, me dy fëmijë, të dielën tentoi të hidhej nga kati i 12-të i pallatit në rrugën Lagadha në Selanik dhe në sajë të ndërhyrjes së matur të forcave policore u bë e mundur të shmangej një tragjedi njerëzore.

Personeli i rajonit policor, me mirësjellje dhe humanizëm, na krijoi të gjitha kushtet që të takoheshim dhe të bisedonim nga afër me bashkëqytetarin tonë. Me këtë rast i shprehim mirënjohjen dhe falënderimet më të ngrohta.

F.L. ishte i qetë, u tregua i penduar për veprimin e tij, duke na deklaruar se po kalonte çaste të vështira të jetës së tij familjare, nuk po gjente punë në profesionin e tij si bojaxhi dhe kishte disa vite që jetonte në Greqi pa leje qëndrimi. Ishte krenar që djali i tij po shërbente në ushtrinë greke si gjithë nënshtetasit grekë.

Përfaqësia e KSSH ofroi mbështetje psikologjike dhe financiare për qytetarin tonë si dhe i vumë në dispozicion për zgjidhjen e problemeve të tij avokatin e KSSH.

Komuniteti Shqiptar i Selanikut

Ndaje me miqte