0030 210 33 18 483

SHBA, fillon prova klinike për vaksinën e koronavirusit

Zëri i Amerikës 17 Mars 2020

Prova klinike për vaksinën e koronavirusit filloi në Shtetet e Bashkuara më 16 mars, njofton radio Zëri i Amerikës.

Sipas një burimi anonim të lidhur me qeverinë, pjesëmarrësi i parë i provës mori sot vaksinën eksperimentale. Testimi, i financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, është duke u zhvilluar në Seattle të Uashingtonit.

Zyrtarët e shëndetit publik thonë se testimi do të zgjasë një vit, deri në 18 muaj, përpara se vaksina të provohet plotësisht.

Testimi filloi me 45 vullnetarë të shëndetshmëm. Sipas specialistëve, nuk ka mundësi që vullnetarët të infektohen pasi vaksina nuk përmban virus. Qëllimi i provës së parë është të përcaktojë që vaksina nuk shkakton efekte anësore serioze. Pas kësaj, do të fillojë testimi më i gjerë mbi të.

Covid-19, është ende duke u përhapur në të gjithë botën, dhe dhjetëra grupe studiuesish po përpiqen të krijojnë një vaksinë kundër tij. Më e rëndësishmja është se po punohet në lloje të ndryshme të vaksinave. Disa organizata kërkimore janë duke punuar në një vaksinë të përkohshme që mund të mbrojë shëndetin e njeriut për një ose dy muaj.

Shumica e njerëzve të infektuar me koronavirus kanë ethe, temperaturë të lartë dhe kollë. Disa prej tyre, veçanërisht pacientët e moshuar dhe ata me lloje të tjera të problemeve shëndetësore, mund të zhvillojnë pneumoni agresive.

Ndaje me miqte