SHBA fillon tërheqjen e trupave nga Siria
Zëri i Amerikës
20 Dhjetor 2018
Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e trupave nga Siria, pak pasi Presidenti amerikan Donald Trump shkroi në Twitter se “SHBA ka mundur grupin terrorist të Shtetit Islamik që ndodhej atje”.
"Kemi filluar t’i kthejmë trupat në shtëpi ndërsa kalojmë në fazën e ardhshme të kësaj fushate," tha në një deklaratë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.
Ajo shtoi se me mundjen e IS-isit nuk do të thotë se përfundon fushata ushtarake e forcave të koalicionit në Siri.
"Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë janë të gatshëm të angazhohen sërish në të gjitha nivelet për të mbrojtur interesat amerikane kurdo që të jetë e nevojshme. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për t’u mohuar territore, financime dhe mbështetje terroristëve islamik si dhe çdo mjet për të infiltruar në kufijtë tanë" tha zonja Sanders.
Më vonë të mërkurën, zëdhënësja e Pentagonit Dana White tha në një deklaratë se "koalicioni ka çliruar territorin e mbajtur nga IS-isi (grupi terrorist i Shtetit Islamik), por fushata kundër Shtetit Islamik nuk ka mbaruar".
"Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë dhe aleatët për të mposhtur ISIS-in kudo që vepron”, tha ajo, duke mos dhënë detaje rreth afatit lidhur me arsye sigurie.
Javën e kaluar, i dërguari i posaçëm presidencial i SHBA-së për koalicionin global për të mposhtur ISIS-in, Brett McGurk, u tha gazetarëve në Departamentin e Shtetit se çlirimi i pjesës së mbetur të territorit prej një për qindësh, që mbahet nga IS-isi mund të kërkojë një periudhë disa mujore.
"Ka një përqendrim të konsiderueshëm tek luftëtarët më të ashpër të IS-isit në atë pjesë të vogël të territorit," tha zoti McGurk më 11 dhjetor. "Disa mijëra luftëtarë të sprovuar mbeten në atë zonë."- tha ai.
Sipas një vlerësimi të Pentagonit të muajit gusht të këtij viti, të paktën 13 mijë luftëtarë IS-isit ndodheshin ende në Siri, ndërkohë që kalifati kishte rënë.
Vendimi për tërheqje, bie ndesh me qëndrimin e sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Pentagonit, që janë shprehur për një prani ushtarake amerikane në Siri më afat-gjatë, për të penguar rishfaqjen e Shtetit Islamik.
Shtetet e Bashkuara kanë ende rreth 2 mijë trupa në Siri, shumë prej të cilëve forca speciale që punojnë në aleancë me forcat kurde e arabe të njohura si Forcat Demokratike të Sirisë.
Në ndryshim nga qëndrimi i Pentagonit për një prani ushtarake të vazhdueshme në vendin e shkatërruar nga lufta, zoti Trump dëshiron tërheqjen e trupave, kur kjo të jetë e mundur.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar amerikan të ketë thënë se Departamenti amerikan i Shtetit do të evakuojë të gjithë personelin nga Siria gjatë 24 orëve të ardhshme dhe se tërheqja e trupave do të ndodhë brenda një afati kohor prej 60 në 100 ditë.
Anëtari i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senat Lindsey Graham në një postim në tweeter shkruante se "tërheqja e këtij numri të vogël të trupave amerikanë në Siri do të ishte një gabim i madh, i ngjashëm me atë të Obama-s."
Senatori Rand Paul, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë e vlerësoi lëvizjen në një postim në Twitter.
"Jam i lumtur të shoh një President që mund të deklarojë fitoren dhe të largojë trupat tanë nga një luftë. Ka kaluar një kohë e gjatë që kur kjo gjë ka ndodhur", shkruante ai.
Sekretari Mattis dhe zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë shprehur shqetësimin për largimin nga Siria përpara arritjes së një marrëveshje paqeje për t'i dhënë fund luftës civile që u ka marrë jetën qindra mijëra njerëzve si dhe ka detyruar të zhvendosen rreth gjysmën e popullsisë prej rreth 22 milionë banorësh që jetonte në Siri përpara luftës.
Ndaje me miqte