SHBA, mbi çerek milion të infektuar e mbi 7 mijë të vdekur
Zëri i Amerikës
04 Prill 2020
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë epiqendra e pandemisë në rang botëror për nga numri i të prekurve me COVID-19.
Të shtunën sipas universitetit “Johns Hopkins” u regjistruan 278.458 të prekur nga virusi dhe 7159 të vdekur. Të premten u shënua dhe numri i madh i të vdekurve mbrenda një ditë, gjithsej 1423. Në pothuajse gjithë vendin përjashtuar 8 shtete janë lëshuar urdhra që popullata të qëndrojë në shtëpi, këto masa prekin rreth 96 për qind të popullsisë amerikane.
Zona më e nxehtë në SHBA për sa i takon përhapjes së virusit vazhdon të jetë qyteti i Nju Jorkut me 1867 të vdekur. Sipas të dhënave zyrtare numri i vdekjeve në rang shteti është trefishuar në tre ditët e fundit, në më shumë se 3 mijë. Situata nxiti guvernatorin e Nju Jorkut të marrë respiratorët nga sektori privat. Zyrtarët thonë se megjithatë shkalla e atyre që shtrohen në spital është stabilizuar çka sugjeron se masat e forta për distancim social të vendosura një muaj më parë, kanë nisur të japim rezultat. Pas Nju Jorkut, Nju Xhersi është shteti me numrin më të madh të të infenktuarve. Qeveria federale i rekomandoi amerikanëve të mbajnë maska ose të përdorin mbulesa të tjera prej pëlhure në baza vullnetare për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Rekomandimi vjen nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve. Presidenti Trump shtoi se rekomandimet e reja nuk duhet të shihen si zëvendësim për masat e distancimit social, që konsiderohen kritike për ngadalësimin e epidemisë.
Në rang botëror virusi ka prekur 1.143.418 njerëz dhe ka shkaktuar 60,114 mijë të vdekur. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se ky organizëm me 193 anëtarë do të marrë një vendim "muajin e ardhshëm" për të vendosur nëse do të shtyjë mbledhjen vjetore të udhëheqësve botërorë në Nju Jork, që mbahet në fund të shtatorit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ndaje me miqte