0030 210 33 18 483

Shehaj nga Kukësi: Vetëm puna dhe sakrifica do t’i pasurojë shqiptarët

ATSH 24 Prill 2025

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në një takim elektoral sot në Kukës theksoi se vetëm një ekonomi që rritet sjell përfitime për qytetarët, përfshirë rritjen e rrogave dhe mundësi më të mira për arsim dhe pensione.

Sipas Shehajt, është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se paratë nuk bien nga qielli, por janë rezultat i punës dhe sakrificës.

“Rritja e biznesit çon në rritjen e ekonomisë, dhe kjo sjell më shumë mundësi për të gjithë. Mos u gënjeni nga ata që premtojnë para për të gjithë. Paratë që ata ofrojnë janë paratë tona, paratë e qytetarëve shqiptarë, dhe nuk bien nga qielli. Kjo është diçka që ata që nuk kanë punuar një ditë në sektorin privat nuk e kuptojnë. Ata nuk e dinë sesi fitohen paratë dhe sa sakrifica kërkon ky proces”, tha Shehaj.

Shehaj theksoi gjithashtu se, “nëse ata që janë në pushtet nuk janë në gjendje të kujdesen për paratë e qytetarëve si për paratë e fëmijëve të tyre, më mirë të mos i fusin duart në xhepat e shqiptarëve”.

“Nuk flasim për kapitalizëm fals, por kapitalizëm të vërtetë. Ne jemi për kapitalizmin. Puna, puna dhe sakrifica, kjo i bën njerëzit të bëjnë një jetë më të mirë, jo shteti. Shteti është pengesa. Mos u gënjeni nga të tjerët, që thonë se shteti do t’i japë zgjidhjen”, theksoi Shehaj.

Ndaje me miqte