0030 210 33 18 483

Shqipëri, identifikohen anëtarët e një celule terroriste iraniane

Zeri i Amerikes 23 Tetor 2019

Në Shqipëri, policia shqiptare bëri të ditur sot se ka zbuluar skemën e funksionimit dhe ka identifikuar anëtarët e një celule terroriste iraniane e cila ka patur si synim kryerjen e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq (Mek), mbi 2 mijë anëtarë të së cilës janë strehuar në territorin shqiptar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare ArdiVeliu tha sot se “celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane MujahedeenelKhalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta”.

Sipas policisë shqiptare “celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur me emrin Peynam, rezident i përhershëm në Iran, i cili menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore”. QUDS, është krahu operacional i IRGC (IslamicRevolutionaryGuardCorps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit.

Një anga anëtarët e celulës është AlirezaNaghashzadeh, një ish-anëtar i MEK-ut me pasaportë austriake. “Naghashzadeh u dërgua nga Peyman, për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua”, shpjegoi zoti Veliu.

Një tjetër operativ, është AbdolkhaleghMalekZadeh, iranian që jeton në Turqi. “MalekZadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me AbdulselamTurgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS”, tha zoti Veliu.

AbdulselamTurgut, është i njohur nga autoritetet shqiptare. Në vitin 2011, Turgut është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

Dhjetorin e vitit të kaluar ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga Shqipëria. Ministria e Jashtme njoftoi në atë kohë se “dy diplomatët iranianë u shpallën të padëshiruar, pasi dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend. Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranian si të padëshiruar – sqaroi më tej Ministria e Jashtme shqiptare – u mor në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.

Ndaje me miqte