Shqipëri, reagime për moshapjen e negociatave
TV Tribuna
19 Tetor 2019
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë kontaktesh me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe liderë të tjerë europianë.
Në krahun tjetër, Lulzim Basha i partisë Demokratike, thotë se Shqiëpëria nuk e meritonte hapjen e negociatave dhe kërkon që Rama të ndjekë shembullin e Zaevit.
“Mosmarrja e një vendimi të merituar për Shqipërinë për çeljen e negociatave është rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, por rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok për të bërë detyrat e shtëpisë që janë të qarta”.
Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.
Natyrisht, tha ai, “kemi rënë të gjithë dakord për faktin se kjo nuk ndryshon asnjë gjë në trajektoren strategjike të vendit, të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sonë”.
Ndërkohë, Rama tha se “në ditët në vijim ka një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, “shumica e vendeve të BE ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave”.
Në një konferencë për shtyp, Basha tha se, “vlerësim sipas meritës është qëndrimi i prerë i vendeve anëtare për vendet që duan t’i bashkohen BE-së. Shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave”.
Nga ana tjetër, nënvizoi Basha, “qeveria jonë, e cila është refuzuar nga vendet europiane, vazhdon të mos e lëshojë pushtetin, në dëm të popullit shqiptar. Ne kemi vetëm një rrugë drejt së ardhmes dhe kjo është rruga europiane”.
Ndaje me miqte