Shqipëria synon një vend të Këshillin e Sigurimit të OKB
Tribuna TV
26 Shtator 2018
Objektivi i Shqipërisë është që të bëhet vend anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në vitet 2022-2023, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i cili po merr pjesë në punimet e sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.
Bushati ka nisur takimet dhe konsultat me vende partnere për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm të politikës së jashtme shqiptare.
Ministri Bushati thotë se ky takim i organizatës vjen në një kohë, kur multilateralizmi dhe bashkëpunimi demokratik janë vënë në pikëpyetje.
“Objektivi ynë është të bëhemi vend anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit, 2022 - 2023. Ne vijojmë të japim kontribut në forcimin e paqes dhe sigurisë në botë”, tha Bushati.
Ai shtoi se punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara janë përqendruar kryesisht në diskutimin e atyre politikave e programeve që sigurojnë paqen dhe sigurinë. “Natyrisht që ky takim mbahet në një moment të rëndësishëm kur multilateralizmi dhe bashkëpunimi anembanë botës janë vënë si rrallëherë në pikëpyetje dhe nga ana tjetër më të drejtë kërkohet që organizata të jetë më prezente sidomos në zonat në rrezik dhe të implementojë programet zhvillimore që zbusin hendeqet mes zonave të caktuara të globit”, theksoi kryediplomati shqiptar.
Shqipëria, tha ai, vjen me ambicien e saj në këto punime, aq më tepër që është duke kërkuar një vend në Këshillin e Sigurimit në vitet 2022-2023. “Fushata jonë komunikative me partnerë, me vende që e njohin Shqipërinë apo me vende që dinë pak rreth Shqipërisë sapo ka filluar në mënyrë që të përmbushim këtë objektiv të rëndësishëm të politikës sonë të jashtme”, tha Bushati.
Shqipëria po ashtu, thekson ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, mbështet reformën e OKB-së, një reformë që pritet ta fokusojë organizatën drejt nevojave që kanë vende të caktuara dhe ta bëjë organizatën më pak burokratike duke iu përgjigjur kësisoj sfidave të një bote që duket se e ka të vështirë për të gjetur ekuilibrin e saj.
Ndaje me miqte