0030 210 33 18 483

Shqipëria, vendi ku çdo turist shpenzon 1.360 euro. A thua?

Robert Goro

31 Gusht 2018

Shumëkush mund të çuditet nga ky titull dhe menjëherë të më kundërshtojë. Ose të më konsiderojë si të lajthitur e të klikojë në një adresë tjetër.

Në fakt, duhet ta pranoj se edhe unë, jo thjesht u çudita, por mund të them se u çmerita, pak minuta pasi kisha dëgjuar në Ora News ministrin e turizmit, Blendi Klosi, të deklaronte se “të ardhurat nga turizmi këtë vit parashikohet të jenë 2 miliardë euro”. Ai e mbështeste këtë parashikim në parashikimin tjetër se numri i turistëve këtë vit do të ketë një rritje prej 20% dhe do të shkojë në 1.470.000.

Përveçse tepër optimiste, këto parashikime m’u dukën edhe si tepër të ekzagjeruara, apo, më mirë me thënë, të pabazuara.

Përnjëherë mendja artikuloi një pyetje të thjeshtë dhe të pafajshme: Si rezultojnë këto 2 miliardë euro?

Dhe aty ishte që kërkova ndihmën e makinës llogaritëse. Pjesëtova dy miliardshin me numrin e turistëve që siç thamë, është 1.470.000 dhe përfundimi ishte 1.360,5 euro. Një mijë e treqind e gjashtëdhjetë euro e pesë cent.

Nuk pretendoj se jam i fortë në matematikë.

Por duke i krahasuar këto shifra me shifrat që ofron banka qendrore greke për turizmin në Greqi, gjeta një të dhënë mjaft interesante. Fluksi i më shumë se 27 milionë turistëve gjatë gjithë vitit 2017, është përkthyer në të ardhura me vlerë 17,1 miliardë euro. Më tej, secili prej këtyre turistëve ka shpenzuar në Greqi 521,1 euro. Pra gati 2,5 herë më pak se sa turisti në Shqipëri. Dhe nuk besoj se mund të krahasojmë infrastrukturën dhe dimensionet e industrisë turistike të Greqisë me tonën, apo jo?...

Për kulturën time personale mësoj se në Shqipëri ka 3.791 struktura, 28.680 dhoma dhe numri i shtretërve është 66.794. (Ministria e Turizmit dhe Mjedisit: STRATEGJIA KOMBËTARE PËR ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË TURIZMIT 2018 – 2022 (DRAFT) Janar 2018).

Greqia fqinje ka 1,2 milionë shtretër, dhe mban vendin e gjashtë në Europën e Bashkuar, ku e para është Franca me 5,1 milionë dhe pasojnë: Italia 4,9 milionë; Spanja 3,5 milionë; Gjermania 3,3 milionë; Holanda 1,3 milionë (të dhënat nga Eurostat).

Pastaj, në vendin tonë turizmi ka mbetur ende te dymujori, hajt t’i shtojmë dhe një dyjavësh nga qershori apo shtatori, në kohën që Greqia e ka të paktën tetëmujor dhe po punon fort, mbi bazën e një strategjie për ta shtrirë gjithë vitin.

... Që të jem plotësisht i sinqertë, duhet të them se vazhdoj të kem një lloj rezerve për gjithë sa shkruajta. Sepse, bën vaki të jem unë i gabuar, apo metoda ime aritmetike për zgjidhjen e problemës. Apo mund të kem dhe atë paragjykimin që përgjithësisht duhet parë me dyshim ajo çka qeveria e deklaron si sukses....

Ndoshta dikush tjetër, më kompetent, (jo qeveritar dhe as opozitar, sigurisht!), mund të na japë një përgjigje më shteruese.

Jo për gjë, por që ta kem dhe unë ndërgjegjen të qetë...

Ndaje me miqte