0030 210 33 18 483

Shqipëria voton për parlamentin e ardhshëm

Zëri i Amerikës 25 Prill 2021

Në Shqipëri, që prej orës 07.00 të mëngjesit të sotëm ka nisur votimi për parlamentin e ri të vendit. Deri në orën 12.00, sipas të dhënave të pjesshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesmarrja në votime ka qenë në nivelin e 27.18 përqind, ku bie në sy Tirana, me një pjesmarrje prej 31.19 përqind.

Në të 5199 qendrat e votimit procesi ka nisur thuajse normalisht, ndërsa janë vënë re problematika që kryesisht lidhen me identifikimin biometrik, procesin që aplikohet për herë të parë në këto zgjedhje. Përmes aparaturave të posaçme, verifikohet karta e identitetit, ndërkohë që votuesi identifikohet edhe përmes shenjave të gishtërinjve. Një proces i cili shmang votimet e dyfishta apo që i njejti person të mund të votojë më shumë se nje herë me karta të ndryshme identiteti, qoftë dhe të falsifikuara.

Për herë të parë në këto zgjedhje do të zbatohet dhe një projekt pilot në një nga zonat e kryeqytetit, për votimin dhe numërimin elektronik.

Shqiptarët votojnë me një sistem proporcional me lista pjesërisht të hapura. Zgjedhësit përveç forcës politike, mund të zgjedhin dhe kandidatin e tyre të preferuar. Sipas parashikimeve ligjore, fillimisht do të numërohen votat për partitë apo koalicionet, dhe më pas fletët do të rinumërohen për të përcaktuar shpërndarjen e votive për kandidatët.

Në këto zgjedhje janë rregjistruar garojnë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.

Procesi i votimit po ndiqet nga afër, prej 42 vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it, ndërsa 215 të tjerë, pjestarë të Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe asaj të Këshillit të EUropës, dhe stafe të një numri të madh ambasadash janë shpërndarë në të gjithë vendin.

Ndaje me miqte