0030 210 33 18 483

Shqiptarët e Diasporës - liderëve europiane: Hapni menjëherë negociatat me Shqipërinë

05 Nentor 2019

Një grup nismëtarësh nga diaspora shqiptare kanë hartuar një peticion, me anë të të cilit kërkojnë nga liderët europiane të vendosin menjëherë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Hartuesit e peticionit argumentojnë se populli shqiptar, përgjatë historisë së tij, asnjëherë nuk e lëkundi orientimin proeruropian. “Populli shqiptar e rrëzoi sistemin antidemokratik dhe diktatorial i frymëzuar nga idetë europerëndimore me thirrjen historike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”... Të qartë për rrugën e zgjedhur, të vetëdijshëm për sakrificat e kryera, por të vendosur në synimin e tij final, shqiptarët kanë bërë shumë reforma për të përmbushur dhe zbatuar kriteret e Kopenhagenit dhe Madridit”, vazhdon Peticioni.

“Çdo vonesë apo pengesë në këtë proces historik mund të shkaktojë gabime dhe fatalitete me kosto jo vetëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe për zonën delikate të Europës Juglindore dhe më gjerë”, theksojnë autorët e Peticionit.

Sipas tyre, shqiptarët e diasporës përbëjnë një shembull të lartë integrimi dhe qytetarie në vendet ku ata jetojnë. Ndërsa nga ana tjetër, shprehen se do të jenë garantë për të ndihmuar atdheun në rrugën e demokratizimit dhe europeanizmit të mëtejshëm.

 

I gjithë teksti i Peticionit ka si më poshtë:

 

PETICION I DIASPORËS SHQIPTARE

PËR ANËTARËSIMIN E SHQIPËRISË NË EUROPË

                                                                                   

Drejtuar:

Kryetarëve dhe Kryeministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Europian

Këshillit të Europës

Për dijeni:

Parlamentit Europian

Presidencës së Këshillit të Europës

Komisionit Europian

Parlamentit të Republikës së Shqipërisë

Presidentit të Republikës së Shqipërisë

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë

 

Tema: Thirrje e shqiptarëve të diasporës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

Të nderuar Shkëlqesia Juaj, Kryetarë dhe Kryeministra të shteteve anëtare të Bashkimit Europian!

Politika e zgjerimit të Bashkimit Europian rezultoi vendimtare, jo vetëm në reformimin politiko-ekonomik për të gjitha vendet që tashmë janë anëtare të tij, por edhe duke shërbyer si forcë tërheqëse për vendet dhe popujt që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

 

Populli shqiptar që jeton prej lashtësisë në një zonë gjeografike, historikisht udhëkryq i interesave të kundërta globale dhe kulturave të ndryshme, asnjëherë nuk e humbi shtratin e tij kulturor, thellësisht dhe tërësisht europian.

 

Orientimi ndaj ideve europiane përbënte një konstante bazë që në krijimin e shtetit shqiptar dhe zhvillimin e tij kulturor. Edhe në periudhën kur ideologjia e tij shtetërore ishte totalitare komuniste, shqiptarët e ndanë fatin e tyre nga koalicione politiko-ushtarake jo europerëndimore, edhe pse me kosto të lartë për jetën dhe vendin e tyre.

 

Populli shqiptar e rrëzoi sistemin antidemokratik dhe diktatorial i frymëzuar nga idetë europerëndimore me thirrjen historike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

 

Ishin këto ide që frymëzuan dhe orientuan popullin shqiptar në udhën e hyrjes në familjen e madhe europiane.

 

Ishin këto ide demokratike, të cilat së bashku me ndihmën e vendeve fqinje europiane, të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera perëndimore, përbënë shtyllat e stabilizimit ekonomiko-politik të Shqipërisë, dhe tashmë janë në themel të modeleve politike, ekonomike, juridike dhe institucionale të popullit shqiptar me synimin final anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Të qartë për rrugën e zgjedhur, të vetëdijshëm për sakrificat e kryera, por të vendosur në synimin e tij final, shqiptarët kanë bërë shumë reforma për të përmbushur dhe zbatuar kriteret e Kopenhagenit dhe Madridit.

 

Rruga e demokratizimit të Shqipërisë e kryer deri tani ka kaluar mes peripecive të ndryshme, dhe populli shqiptar duhet nxitur dhe ndihmuar për të lënë pas të shkuarën e dhimbshme, gabimet e tij, por edhe gabimet e Europës dhe Fuqive të Mëdha.

 

Populli dhe kombi shqiptar, duke respektuar fqinjësinë e mirë dhe duke tejkaluar anakronizmat historike, po kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal duke zgjedhur fatin e zhvillimit të tij brenda familjes së madhe europiane.

 

Shqiptarët janë të vetëdijshëm se procesi i demokratizimit të vendit dhe i aftësimit të tij për të qenë një anëtar i denjë i Bashkimit Europian , do punë dhe kohë akoma.

 

Çdo vonesë apo pengesë në këtë proces historik mund të shkaktojë gabime dhe fatalitete me kosto jo vetëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe për zonën delikate të Europës Juglindore dhe më gjerë.

 

Ne, bijtë e bijat e shqiptarëve, që tashmë jemi integruar në shoqëritë europiane, duke dhënë ndihmesën tonë në zhvillimin tërësor të tyre, përbëjmë një shembull bindës për aftësitë e shqiptarëve për të përvetësuar dhe vepruar si të barabartë në trupin e shoqërive europiane.

 

Ne, diaspora shqiptare, që përbëjmë me qindra mijëra anëtarë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, përveçse jemi një shembull qytetarie në vendet që na kanë hapur dyert e jetës, gjithashtu do të jemi përkrah dhe garant për të ndihmuar atdheun tonë në demokratizimin dhe europianizimin e tij.

 

Të nderuar, Shkëlqesia Juaj, Kryetarë dhe Kryeministra të shteteve anëtarë të Bashkimit Europian:

 

Ju lutemi të merrni në konsideratë këtë kërkesë të Diasporës Shqiptare, duke vendosur menjëherë fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Me respekt

Name/Surname - City, Country

(vazhdon lista me emra)

 

(Ju lutem, nëse jeni dakord me peticionin dhe dëshironi të jeni bashkë me ne, konfirmoni pëlqimin tuaj duke shkruajtur emrin, mbiemrin, qytetin dhe vendin ku jetoni në Europë. Ju bëjmë me dije se të dhënat tuaja do të vendosen në listën e nënshkruesve të këtij peticioni, dhe do të jenë të hapura për lexuesin).

 

Konfirmoni në E-mail: diasporal.@gmail.com Për dijeni: Dr. Luan Zyka

 

 

 

 

 

 

 

Ndaje me miqte