0030 210 33 18 483

Shtyhen përsëri masat në kufirin Greqi - Shqipëri

TV TRIBUNA 02 Tetor 2020

Qeveria greke ka shtyrë përsëri masat kufizuese për hyrjen në Greqi të qytetarëve nga pikat e kalimit tokësor si dhe nga aeroportet.

Kjo do të thotë se mbeten në fuqi masat e vendosura më herët gjatë këtij viti.

Edhe ky vendim është publikuar në Fletoren zyrtare, më datë 1 tetor.

Sipas vendimit, hyrja në territorin grek përmes pikave kufitare lejohet vetëm në rastet e mëposhtme dhe gjithmonë me kushtin e kryerjes paraprake të testit PCR për Covid-19, 72 orë përpara mbërritjes në Greqi dhe të kenë me vete të përkthyer në anglisht vërtetimin se testi ka rezultuar negativ.

Gjithashtu, duhet të kenë plotësuar edhe formularin PLF dhe me mbërritjen në pikën kufitare duhet të tregojnë vërtetimin e mbushjes së formularit, që sistemi ia dërgon automatikisht me mesazh qytetarit.

Pra, hyrja në territorin grek lejohet vetëm për:

Qytetarët me nënshtetësi greke

Posedues të lejes së qëndrimit

Persona që e kanë në Greqi banesën e tyre kryesore

Persona që vijnë në Greqi për arsye absolutisht të nevojshme profesionale apo mjekësore, që vërtetohet me dokumentat e nevojshme.

Të gjithë këta mund të hyjnë në Greqi nga pikat e kalimit kufitar të Kakavijës, Kapshticës, Evzones, Nimfeas, Kipon.

Sa u përket poseduesve të kartës së homogjenit, këta mund të hyjnë në Greqi vetëm nga Kakavija dhe Kapshtica.

Më tej vendimi vë në dukje se në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës, si dhe në Evzones, Nimfeas, Ormeniu, Kipon, kalimi i kufirit është i mundshëm vetëm nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 23 të mbrëmjes.

Po ashtu vendimi ka lënë në fuqi kuotat për kalimin e qytetarëve nga Kakavija (750 persona në ditë) dhe nga Kapshtica (300 persona në ditë).

Në fuqi ka mbetur edhe masa e karantinës 7 ditore për cilindo që vjen në Greqi nëpërmjet pikave kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës.

 

Dhe dy momente shumë të rëndësishme:

Persona që hyjnë në Greqi për arsye profesionale dhe në vazhdim dalin nga Greqia, nuk mund të hyjnë sërish për sa kohë janë në zbatim masat.

Dhe e dyta:

Qytetarët grekë, poseduesit e lejes së qëndrimit dhe poseduesit e kartës së homogjenit, që dalin nga Greqia pas 1 tetorit dhe duan të rikthehen gjatë kohës që janë në zbatim masat kufizuese, janë të detyruar që para daljes nga Greqia të njoftojnë për udhëtimin e tyre, duke plotësuar formularin elektronik në platformën elektronike httpps://travel.gov.gr

Ndaje me miqte