0030 210 33 18 483

Shtyhet samiti special për postet e larta të BE-së

TV Tribuna 30 Qershor 2019

Një samit special i liderëve të BE-së u shty, tha të dielën një zëdhënës i presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk.

”Samiti, që duhej të fillonte në orën 16:00, u shty dy herë dhe nuk ka filluar ende për shkak se vazhdojnë konsultimet”, tha zëdhënësi.

Tusk po diskuton veçmas me liderët e BE-së për ndarjen e posteve të larta të saj.

”Samiti do të fillojë pas mbarimit të konsultimeve”, theksoi zëdhënësi.

Sipas medias ndërkombëtare, krerët e qeverive të BE në samitin e G20-s në Japoni kanë rënë dakord që Weber të mos jetë kreu i ri i KE dhe se Merkel e ka pranuar këtë. E pyetur në Osaka për këtë çështje, Merkel është shprehur vetëm, se “unë mbështes gjetjen e një zgjidhjeje”.

Presidenti francez, Macron që e kundërshtoi fort zgjedhjen e Weber, u shpreh në Osaka, se “mendoj që gjërat po ecin përpara”.

 

Fran Timmermans kreu i ri i KE?

Megjithëse nga qarqet e partisë konservatore gjermane, CSU-së është thënë, se Weber është ende kandidat dhe se duhet të zgjidhet president i Komisionit Europian, në media është lakuar të shtunën emri i Frans Timmermans, kandidatit kryesor të socialdemokratëve, grupimit që fitoi më pak vota se konservatorët.

Timmermans është aktualisht nënpresident i parë i Komisionit Europian dhe komisioner për rregullimet ligjore, shtetin e së drejtës dhe kartën e të drejtave themelore.

Krerët e BE po konsultohen, nëse në vend të Weber mund të bëhet Timmermans apo një përfaqësues tjetër nga konservatorët president i KE.

Nga qarqet e politikanëve të CSU, theksohet se për partitë popullore europiane (PPE) është e rëndësishme që të ruhet parimi i kandidatit kryesor. “Jemi të hapur për kompromise, por në kuadër të rezultateve të zgjedhjeve, që e bënë PPE partinë kryesore në Parlamentin Europian”.

Parimin e kandidatit kryesor e mbështesin edhe socialdemokratët. Achim Post, zëvendëskryetari i grupit parlamentar socialdemokrat u shpreh se presidenti i ri duhet të vijë nga rrethi i kandidatëve kryesorë. “Gjithçka tjetër do të ishtë thyerje fjale e votuesit europian”.

Agjencia gjermane e lajmeve, dpa njofton, se sipas burimeve të saj, Frans Timmermans mund të zgjidhet president i KE, kurse Manfred Weber, president i Parlamentit Europian.

Ndaje me miqte