Si do të ktheheni nga Shqipëria në Greqi
TV Tribuna
12 Prill 2020
Mjaft bashkatdhetarë, të cilët kanë leje qëndrimi në Greqi, aktualisht janë bllokuar në Shqipëri dhe po "na bombardojnë" me pyetje se si mund të kthehen në Greqi.
Edhe pse TV Tribuna ka sqaruar disa herë publikisht se si bëhet kjo, pyetjet vazhdojnë, ndoshta edhe për shkak të ankthit të kuptueshëm që i ka kapluar njerëzit.
TV Tribuna komunikoi të dielën në mesditë me pikat greke të kalimit të kufirit në Kakavijë dhe Kapshticë.
Ata na thanë se kalimi i kufirit nga Shqipëria në Greqi vazhdon normalisht, sipas kushteve që ka vendosur shteti grek në zbatim të masave për parandalimin e shtrirjes së Koronavirusit.
Pra, që një qytetar shqiptar të lejohet për të hyrë në Greqi, duhet të ketë:
Leje qëndrimi ose vërtetim (veveosi blu),
Pasaportë të vlefshme
Vërtetim të adresës së banimit në Greqi. Ky vërtetim merret duke klikuar në adresën elektronike https://www.aade.gr/bebaiosi-katoikias-eidikis-hrisis dhe duke ndjekur udhëzimet përkatëse.
Vërtetimin e printoni ose e ruani në celular dhe ia tregoni policit grek.
Në rast se nuk e zbrisni dot vërtetimin, mund të tregoni një llogari korrenti (DEH), apo telefoni që është në emrin tuaj dhe ka adresën e banimit.
Kusht i domosdoshëm është që qytetari i cili hyn në Greqi deklaron se pas kalimit të kufirit do të qëndrojë 14 ditë karantinë në banesë.
Procedurat në tokën shqiptare
Që të kaloni në Greqi, ju duhet, natyrisht, të arrini në kufi.
Për të realizuar këtë, duhet të merrni autorizimin e lëvizjes nëpër territorin shqiptar. Ky autorizim merret në adresën elektronike http://autorizime.asp.gov.al./apply. Të njëjtin autorizim duhet të ketë edhe ndrejtuesi i mjetit që do t'ju çojë në kufi.
Gjithashtu, mund të merrni informacione dhe sqarime në numrat e telefonit 129 ose 112, ose në dy numrat e dedikuar 069 41 22223 dhe 069 41 22224.
Ndaje me miqte