0030 210 33 18 483

Skurletis largohet nga ministria e brendshme. Hapet rruga për ndryshime në qeverinë Tsipras

Tribuna TV 28 Gusht 2018

Deri dje ministër i brendshëm Panos Skourletis, është larguar nga qeveria, por jo me zbritje.

Ai është zgjedhur sekretar i Komitetit Qendror të SYRIZA-s, pas propozimit të kryeministrit Tsipras paraqitur në mbledhjen e të dielës.

Nga 144 anëtarët e KQ që morëm pjesë në votim, për Skourletisin votuan 126, ndërsa pati edhe 18 abstenime.

Duke argumentuar propozimin e tij, Tsipras tha se “tashmë në agimin e një epoke të re, besoj se partia jonë ka nevojë për një shtytje të re, një shembull tjetër vetmohimi dhe përkushtimi. Nevojitet dhënia e mesazhit se partia jonë është prioritare, është pjesë e patjetërsueshme e përpjekjes për forcimin e maxhorancës politike dhe shoqërore. Dhe se asnjë post qeveritar apo çfarëdo tjetër, nuk ka për ne vlerë më të madhe postet që përcaktohen prej vullnetit tonë kolektiv dhe funksionimin kolektiv partiak”.

Për këto arsye vendosa t’i propozoj Komitetit Qendror që të zgjedhë si sekretar “shokun Pano Skourleti”, tha Tsipras.

Zhvendosja e Skourletisit nga sheshi Klathmonos (ministria e brendshme) në sheshin Kunundurou (ku është selia e SYRIZA-s), konsiderohet si vlerësim, në prag të ballafaqimeve zgjedhore të partisë së kryeministrit (zgjedhjet europiane, ato lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare).

Por ndërkaq, duhet thënë se sa opozita aq edhe një pjesë e madhe e medias kishin kërkuar me ngulm largimin e ministrit të brendshëm, si një nga përgjegjësit kryesorë për tragjedinë e 23-24 korrikut, ku si pasojë e zjarrit në Atikën Lindore humbën jetën -deri tani-, 97 njerëz.

 

Postet ministrore, kush qëndron e kush largohet

Ky zhvillim i ri në radhët e SYRIZA-s ka gjallëruar sërish spekulimet për rikompozimin e mundshëm të qeverisë Tsipras.

Sipas të gjitha gjasave, kjo do të bëhet shumë shpejt dhe para vajtjes së kryeministrit në panairin e Selanikut, dhjetëditëshin e parë të shtatorit.

Të sigurt në postet e tyre konsiderohen ministri i jashtëm Nikos Kotzias, ministri i financave Euklidis Tsakaltos, ministrja e punës, Efi Ahcioglu dhe ministri i mbrojtjes, Panos Kammenos.

Ka shumë mundësi që të mbeten në ministritë që drejtojnë deri më tani: Dimitris Tzanakopoulos -zëdhënës i qeverisë, Alekso Flamburaris – ministër shteti pranë kryeministrit, Ollga Jerovasili ministre e reformës administrative, Eleni Koundoura, ministre e turizmit, Kristoforos Bernardakis – ministër shteti, Aleksis Haritsis – ministër alternat i ekonomisë dhe zhvillimit.

Në vend të zotit Skourletis, mund të shkojë mi nistri i politikës digitale, Nikos Pappas, apo ministri aktual i infrastrukturës dhe transportit.

Ministri aktual i emigracionit, Dimitris Vitsas mund të marrë dikasterin e mbrojtjes së qytetarit, ndërsa për ministrinë e marinës si kandidati më i mundshëm konsiderohet zëvendësministri aktual, Nektarios Santorinios.

Në anën tjetër, duket se u bëhet “dalje” nga qeveria ministrit të marinës, panajotis Kuruplis, atij të bujqësisë, Vangelis Apostolou, ministrit të ekonomisë dhe zhvillimit Jorgos Stathakis. Nuk përjashtohet edhe ministri i arsimit Kostas Gavroglou dhe ajo e kulturës, Lidia Koniordou.

Ndaje me miqte