0030 210 33 18 483

Sllovenia goditet nga katastrofa natyrore, i drejtohet NATO-s për ndihmë urgjente

Tribuna News Network 07 Gusht 2023

Sllovenia  kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE pas situatës jashtëzakonshme me rrebesh dhe përmbytje të mëdha. Dëmet e shkaktuara shënojnë shifra disa qindra milionë euro.

 

Pas përmbytjeve të mëdha në Slloveni, vendi ka kërkuar ndihmën e NATO-s dhe BE. Sllovenia ka nevojë për helikopterë të rëndë ushtarakë me kapacitetin për të transportuar 5 tonë dhe për të mbajtur 200 ushtarë për operacionet e mbrojtjes nga katastrofat dhe shpëtimi. Nga BE, Sllovenia kërkon 30 ekskavatorë shpëtimi dhe 30 makineri speciale për të menaxhuar ujërat dhe për punët inxhinierike.

 

Gjithashtu, evakuimet kanë filluar pas shkatërrimit të një dige në lumin Mur. Media lokale raporton se 500 persona duhet të largohen menjëherë nga fshati Bistricë. Autoritetet e mbrojtjes nga katastrofat natyrore njoftojnë se edhe zona të tjera janë në rrezik.

 

Kjo është katastrofa më e madhe natyrore në historinë e Sllovenisë, e cila u pavarësua nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, vlerëson dëmet në mbi 500 milionë euro. Infrastruktura rrugore, sistemi energjetik dhe disa qindra ndërtesa janë më së shumti të prekur. Shumë fshatra sllovenë janë izoluar pas katastrofës. Ekipet e shpëtimit po dërgojnë ushqime me helikopterë. Lagështia e lartë e tokës rrit rrezikun e rrëshqitjeve të tokës, sipas Shërbimit Gjeologjik të Sllovenisë. Edhe në Austri, ka shqetësime për rrëshqitjet masive të dherave në shpatet malore pas shiut të shumtë. Zonat më të prekura nga kushtet e vështira të motit janë Kärnten dhe Steiermark./DW

Ndaje me miqte