Stoltenberg: Dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, zgjedhjet pjesë e procesit demokratik
ATSH
02 Qershor 2019
TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë se çdo mosmarrëveshje mes palëve politike duhet të zgjidhet përmes dialogut politik, pjesëmarrjes në procesin demokratik.
I pyetur në lidhje me informacionet për përfshirje ruse në situatën e brendshme në Shqipëri, Stoltenberg e nisi përgjigjen e tij duke theksuar se debati politik është pjesë e demokracisë dhe nuk është shenjë dobësie, përkundrazi një shenjë force. “Është e papranueshme përdorimi i çdo lloj dhune dhe përpjekjeje për të minuar institucionet demokratike, duhet të respektoni institucionet demokratike. NATO është një aleancë ushtarake e politike e themeluar mbi bazat e parimeve demokratike. Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes dialogut politik dhe pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë pjesë e procesit demokratik në të gjitha vendet anëtare të NATO-s”, theksoi Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u bëri thirrje aktorëve politik të marrin pjesë e të kontribuojnë në dialog, të marrin pjesë në dialog.
Sa për ndërhyrjen ruse, Stoltenberg thekso se “kemi parë përpjekje të Rusisë për t’u përfshirë në institucionet tona demokratike në vende të ndryshme dhe në vende anëtare të NATO-s.
“Përpjekjet për t’u përfshirë në procese të brendshme politike janë të papranueshme. Duhet të mbështesim institucionet demokratike dhe të zgjidhim mosmarrëveshjet me dialog”, përfundoi shefi i NATO-s.
Ndaje me miqte