Stoltenberg kërkon mirëkuptim për qëndrimin turk për zgjerimin e NATO-s
ATSH
17 Maj 2022
BRUKSEL, 17 maj /ATSH-AA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh se Turqia është një aleat i çmuar i NATO-s dhe se çdo shqetësim i saj i sigurisë i duhet të merret në konsideratë.
“Bisedova me ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu për vendimet e partnerëve tanë më të ngushtë, Finlandës dhe Suedisë, për të aplikuar për anëtarësim në NATO. Turqia është një aleat i çmuar dhe çdo shqetësim sigurie duhet të merret në konsideratë”, u shpreh Stoltenberg në një postim në Twitter, pas një bisede telefonike me kryediplomatin e Turqisë duke shtuar se ”ne duhet të qëndrojmë së bashku në këtë moment historik”.
Për dekada, Suedia dhe Finlanda morën një qëndrim neutral të politikës së jashtme në rajon, por lufta në vazhdim e sipër midis Rusisë dhe Ukrainës që filloi më 24 shkurt shkaktoi një ndryshim në qasjen e tyre, e tani opinioni dhe shumica e politikanëve favorizojnë anëtarësimin në aleancën e NATO-s.
Megjithatë, Suedia dhe Finlanda, të cilat kanë deklaruar synimin e tyre për të kërkuar anëtarësimin në NATO, nuk i janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të Turqisë, një anëtare e NATO-s për mbi 70 vjet, për ekstradimin e 33 terroristëve.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu kishte shprehur rezerva për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke thënë se vendet skandinave mbështesin grupin terrorist YPG/PKK.
Në fushatën e tij terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, grupi terrorist ka qenë përgjegjës për vdekjen e mbi 40 000 personave, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.
YPG është dega siriane e PKK.
Ndaje me miqte