Strasburg, tre të vrarë nga të shtënat në tregun e krishtlindjeve
Tribuna TV
12 Dhjetor 2018
Tre persona humbën dhe 12 të tjerë janë plagosur në Francë, ku një person i identifikuar si ekstremist i mundshëm, hapi zjarr të martën në mbrëmje, në afërsi të tregut të njohur të krishtlindjeve në Strasburg.
Policia është vënë në ndjekje të të dyshuarit dhe autoritetet franceze kanë ngritur shkallën e gatishmërisë për shkak të frikës nga sulmet terroriste.
Prokurorët francez thanë se kanë hapur hetimet “lidhur me terrorizmin”, ndonëse autoritetet nuk thanë se cilat mund të jenë motivet e sulmit.
Në Parlamentin Evropian, i cili zhvillon punimet në Strasburg, u bllokuan hyrje-daljet dhe deputetëve që donin të shkonin të darkonin në qendër të qytetit iu kërkua të qëndronin brenda.
Autoritetet e identifikuan të dyshuarin rrezik Sigurie 'S-File' dhe i këshilluan banorët të mos dilnin nga shtëpia.
Rreth 350 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe dy helikopterë janë përfshirë në kërkimet për sulmuesin e dyshuar, i cili ishte radikalizuar për “disa vjet”, tha ministri i Brendshëm Christophe Castaner.
Sulmuesi është qëlluar dhe plagosur nga ushtarët që ruanin tregun e krishtlindjeve.
Zëdhënësi i ushtrisë franceze koloneli Patrik Steiger, tha se sulmuesi nuk synonte ushtarët që patrullonin përreth tregut por duket se shënjestëronte civilët.
Presidenti Emmanuel Macron, ndërpreu një mbledhje në pallatin presidencial për të ndjekur zhvillimet pas sulmit.
Me një status në Twitter, Macron shprehu “solidaritetin ndaj gjithë kombit”, pasi drejtoi një tjetër mbledhje të komisionit qeveritar të përballimit të krizës, në ministrinë e brendshme.
Tregu tradicional i krishtlindjeve në Strasburg ishte objekt i një sulmi terrorist që u evitua, në dhjetor të vitit 2000. Përgjithësisht ruhet me masa të rrepta sigurie, për zbatimin e të cilave janë të mobilizuar 260 policë.
Në dhjetor 2016, tregu i Krishtlindjeve në Berlin ishte sulmuar me një kamion, që në rrugën e vet vrau 12 persona. Atëherë përgjegjësinë e kishte marrë Shteti Islamik.
Ndaje me miqte