0030 210 33 18 483

Strategjia për integrimin e emigrantëve dhe 7 mangësitë e saj

Fatos MALAJ 05 Shkurt 2019

Lexova me vëmendje të veçantë draftin e Strategjisë Kombëtare për Integrimin e Emigrantëve të qeverisë SYRIZA, që e gjeni në platformën elektronike deri në 15 gusht, dita e fundit e konsultimit të hapur. Konstatohet lehtë se SYRIZA, në kaq vite qeverisje, nuk ka treguar aspak interes ndaj qindra mijëra emigrantëve që jetojnë në vend. Konkluzion ky që e vërteton më së miri dhe ky draft, pasi:

Strategjia Kombëtare nuk referohet aspak në:

1) Çështjet e Sigurimeve Shoqërore dhe Pensionit (emigrantët, homogjenët dhe refugjatët që kanë të njëjtat ditë pune të siguruara –ensima, dhe përfitojnë pension shumë herë më të vogël se vendasit).

2) Legalizimin përmes bashkimit familjar dhe mbrojtjen e statusit të familjes. Fatkeqësisht, ka ende familje emigrante që, pavarësisht qëndrimit shumëvjeçar në vend, nuk mund të bashkohen ligjërisht.

3) Promovimin e lejes së qëndrimit Afatgjatë. Prej kohësh ekziston një pikëpyetje e madhe që shkakton pasiguri e shqetësim në lidhje me të drejtat e poseduesve të lejeve pa afat apo me afat dhjetëvjeçar, ecurinë e dokumentacionit për këto dy kategori.

4) Procedurën për marrjen e nënshtetësisë greke. Asnjë sensibilizim apo interesim! Strategjia për integrim nga SYRIZA të drejton …askund!

5) Realitetin e ri të formuar në vend, ku në të njëjtën familje "emigrante” përfshihen tashmë anëtarë me nënshtetësinë greke.

6) Domosdoshmërinë për mësimin e gjuhës amtare të emigrantëve nga brezi i dytë e i tretë, proces që parashikohet në legjislaturën kombëtare, por që qeveria thjesht e injoron.

7) Parashikimin e rasteve specifike dhe reforma ligjore për emërimin/punësimin në sfera të caktuara për shërbimin e emigrantëve apo të huajve, në sektorin publik (ndërmjetës kulturorë, mësues të gjuhëve amtare etj.).

Strategjia Kombëtare parashikon formimin e një ekipi të specializuar për shqyrtimin e mundësisë ligjore të pjesëmarrjes së shtetasve të vendeve të treta në zgjedhjet për pushtetin lokal. I njëjti ekip, në vijim, do të hartojë dhe draftin për procesin e reformës kushtetuese. Vetëm se procedura e depozitimit të ideve dhe propozimeve për reformën kushtetuese është mbyllur pak ditë më parë.

Lëvizja për Ndryshim (Kinima Alagis) ishte e vetmja forcë politike që paraqiti, zyrtarisht dhe me shkrim, draft propozim të posaçëm për sanksionimin me kushtetutë të së drejtës së pjesëmarrjes të shtetasve të vendeve të treta, në zgjedhjet për pushtetin lokal.

 

Fatos Malaj është ndërmjetës ndërkulturor për çështjet e emigracionit dhe kandidat për deputet me Lëvizjen për Ndryshim (Kinima Alagis).

Ndaje me miqte