0030 210 33 18 483

Studentët vazhdojnë protestat deri në plotësimin e të gjitha kërkesave

Reporter.al 07 Dhjetor 2018

Mijëra studentë kanë vazhduar për të katërtën ditë radhazi protestat masive duke i parashtruar ministrisë së Arsimit një grup kërkesash për përmirësimin e gjendjes së sistemit të lartë arsimor në vend.

Pasi ia dolën të sprapsin VKM-në që i rëndonte ata me një tarifë shtesë për provimet e mbartura të enjten, studentët vazhduan protestën përpara ministrisë së Arsimit pasi kjo e fundit plotësoi vetëm një nga katër kërkesat e tyre.

Studentët po kërkojnë përgjysmim të tarifës së universiteteve, përmirësim të kushteve të konvikteve, si dhe rritje të peshës së tyre në vendimmarrjen e jetës universitare.

Protestuesit e nisën tubimin duke kënduar në kor himnin e flamurit dhe vazhduan duke hedhur parrudha si “arsim publik falas”, “hiqni tarifën” dhe “universiteti nuk është pronë private”. Ata mbanin gjithashtu në duar pankarta ironike për qeverinë dhe situatën e arsimit të lartë në Shqipëri.

“Qeveria është ngelëse në arsim,” shkruante një pankartë, “Të punosh apo të studiosh, kjo është çështja”, lexonte një tjetër.

Të premten, u vërejt se me studentët e kryeqytetit u bashkuan edhe qytetarë të shumtë dhe figura publike të cilët shprehën mbështetjen e tyre, ndërsa një qytetare u raportua të shpërndante ushqim për të rinjtë.

Studentëve të Universitetit të Tiranës iu bashkuan edhe ata të Kamzës, të cilët marshuan drejt qendrës, ndërsa studentë nga qytete të tjera qenë gjithashtu të pranishëm.

Sikurse edhe të enjten, protesta studentore u zhvilluan edhe në qytetet e Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.

Në Vlorë, prej orës 9 të mëngjesit studentë të Universitetit Ismail Qemali braktisën auditorët dhe dolën në marshim përballë rektoratit dhe në rrugën kryesore të qytetit.

“Nuk tërhiqemi deri në plotësimin e kërkesave tona. Protesta jonë do të vijojë në Universitetin Ismail Qemali ndërsa në vijim nëse kërkesat nuk plotësohen do t’i drejtohemi Tiranës, për t’ju bashkuar studentëve në kryeqytet,”- paralajmëruan studentët e Vlorës.

Në Shkodër, studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi” mbajtën ditën e dytë të protestës duke u nisur nga fakulteti i drejtësisë, drejt rektoratit dhe në sheshin Demokracia.

Me pankarta e thirrje, studentët e Shkodrës kanë kërkuar plotësim të gjithë kërkesave të bashkëmoshatarëve të tyre në Tiranë e qytete të tjera duke theksuar se ato janë në mbështetje të plotë të protestës studentore në mbarë vendin.

Protestës së tyre u janë bashkuar dhe mjaft qytetarë shkodranë, të cilët kanë shprehur mbështetje dhe solidaritet për kërkesat e studentëve.

Ndryshe nga qytetet e tjera, studentëve shkodranë iu bashkuan edhe pedagogë.

“Thuhet se universiteti e ka vetë në dorë me rrit ose zvogëlu tarifat për studentët , por kjo nuk është e vërtetë,” tha pedagogu i shkencave të natyrës, Arben Prendi.

“Universiteti e ka humbur autonominë dhe pavarësinë e tij. Nuk ka punë shkencore sepse nuk ka fonde për kërkimin shkencor. Universiteti është shndërruar në dikë që pret lëmoshë nga qeveria,” shtoi ai.

Në Elbasan, studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ashtu sikurse kishin paralajmëruar të enjten udhëtuan drejt Tiranës për t’u bashkuar me protestuesit e kryeqytetit.

Në Gjirokastër u festua 50-vjetori i universitetit dhe studentët nuk u përfshinë për të dytën ditë në protestat masive kombëtare.

Studentët e Universitetit Aleksandër Mojsiu në Durrës iu bashkuan pjesës tjetër të studentëve në Tiranë, ndërsa morën mbështetjen e shoferëve të autobusëve dhe qytetarëve të cilët i pritën me brohoritje.

Në zonën e Doganës, ata u bashkuan me studentët e Kamzës dhe marshuan drejt ministrisë së Arsimit me thirrjet për uljen e tarifës së studimit, por kërkuan edhe uljen e çmimit të librave dhe të abonesë së transportit. Universiteti gjendet rreth 7 kilometra larg qendrës së qytetit bregdetar.

Në Korçë, të rinjtë u mblodhën po ashtu në protestë, por përdorën edhe muzikën për të shprehur pakënaqësinë e tyre me tarifat e universitetit dhe kauzën studentore.

Pas katër ditëve protesta, ministria e Arsimit ka reaguar edhe të premten duke lajmëruar se do të ngrejë një grup pune për shqyrtimin e protestave të studentëve. Mediat raportuan se ministrja Nikolla kishte nisur inspektimin e kushteve në konvikte, që përbën edhe një nga kërkesat e studentëve.

Protestuesit kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave derisa kërkesat e tyre të plotësohen.

Ndaje me miqte