0030 210 33 18 483

Sulmuan kryebashkiakun, në pranga

Tribuna TV 21 Maj 2018

Tre nga katër personat e arrestuar për sulmin kundër kryetarit të bashkisë së Selanikut, Janis Butaris, u dërguan të hënën në prokurorinë e qytetit.

Personi i katërt i arrestuar, i moshës 17 vjeç, do të ndiqet në gjendje të lirë, nga gjykata e të miturve.

17 vjeçari, bashkë me dy persona të moshës 20 vjeç dhe një 36 vjeçar, akuzohen për prishje të qetësisë publike, lëndime të rrezikshme trupore dhe dëmtim të pasurisë së të tjerëve.

Kryetari i Bashkisë së Selanikut, u sulmua nga disa të dyshuar ekstremistë gjatë një ceremonie përkujtimore për masakrat e turqve kundër pondëve, një popullsi greke që jetonte në zonën e detit të zi, gjatë Luftës së parë Botërore.

Kryebashkiaku u shoqërua në spital ku mori mjekimin e parë.

Sipas komunikatës së spitalit, zoti Butaris kishte lëndime në këmbë, gërvishtje dhe ishte në një gjendje të tronditur.

Janis Butaris ka qenë shpesh në shënjestër të kritikave të ekstremistëve për deklaratat e tij për çështje të ndjeshme si Maqedonia, Turqia dhe Izraeli.

Ndaje me miqte