Supercisterna iraniane, Uashingtoni paralajmëron Athinën
TV TRIBUNA
20 Gusht 2019
Marrëdhëniet midis Athinës dhe Uashingtonit mund të vihen në provë, nëse Greqia pranon të ankorohet në ujërat e veta një anije çisternë iraniane.
Bëhet fjalë për cisternën “Adrian Darya 1”, që u largua të dielën nga Gjibraltari, ku po mbahej prej autoriteteve britanike që prej disa javësh. Në momentin e ndalimit, anija e kishte emrin “Grace 1”.
Superçisterna u ndalua muajin e kaluar, pasi dyshohej se transportonte naftë për në Siri, duke thyer në këtë mënyrë embargon e vendosur nga Bashkimi Europian.
Anija është ngarkuar me 2,1 milion fuçi naftë të papërpunuar, me një vlerë të përgjithshme 130 milion dollarë.
Sipas medias ndërkombëtare, superçisterna iraniane, me emrin tashmë të ndryshuar, po lundron drejt portit grek të Kalamatas, ku pritet të mbërrijë më 25 gusht..
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Athinë, i ka deklaruar të përditshmes vendase, Kathimerini, se supercisterna transporton naftë e cila do të përdoret në aksione terroriste nga grupe iraniane dhe siriane.
Zëdhënësi ka theksuar se ofrimi i asistencës ndaj kësaj anijeje mund të konsiderohet si mbështetje materiale ndaj organizatave terroriste.
Zëdhënësi shtoi se ky paralajmërim i është përcjellë qeverisë greke dhe gjithë porteve mesdhetare.
I ftuar për të komentuar deklaratat e ambasadës amerikane, ministri grek i marinës tha të martën në mesditë se autoritetet po e ndjekin çështjen në bashkëpunim me ministrinë e jashtme.
Ministri shtoi se deri tani nuk ka ndonjë kërkesë nga anija iraniane që të ankorohet në hapësirën detare greke.
Ndaje me miqte